25 Maj 2020

Pas furnizimit me laparaskop, Spitali i Prizrenit kryen qindra opracione

Prizren, 26 prill - Qindra pacientë, me probleme të ndryshme shëndetësore, për pak muaj, në Spitalin e Prizrenit, i janë nënshtruar operimeve me Laparaskop, një pajisje e cila kryen ndërhyrjen me metodën minimale të hapjes.

Laparaskopia  është ndërhyrje kirurgjikale.

Kjo procedurë kryhet me anë të aparatit të Laparaskopit, që përdoret për qëllime diagnostikimi dhe trajtimi të problemeve të ndryshme te organet e brendshme.

Spitali i Prizrenit e ka pranuar këtë aparaturë vitin e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK  dhe me të, deri tash, janë kryer mbi 200 operacione.

Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, thotë se intervenimi me Laparaskop ofron siguri dhe shkurton shumë kohën e rikuperimit tek pacienti.

“90 përqind të rasteve, që ne i trajtojmë me Laparaskop, ditën e nesërme shkojnë në shtëpi. Ka shumë përparësi tjera si: në kohëzgjatjen e trajtimit, trajtimin me antibiotikë, kohën e ekspozimit të pacientëve në ndërhyrje kirurgjikale”, thotë Avdaj.

Sipas Avdajt, në Spitalin e Prizrenit nuk ka listë të pritjes dhe pacienti trajtohet menjëherë, brenda pak ditësh, posa të përfundojë të gjitha procedurat që i paraprijnë operimit.

“Ne nuk kemi fare listë të pritjes dhe jemi të gatshëm të trajtojmë pacientët në mënyrë të vazhdueshme. Kjo edhe më shumë e vërteton cilësinë dhe përkushtimin tonë se jemi në shërbim të pacientëve, duke mos i lënë ata që të bredhin nëpër spitale private”, thekson Avdaj.

Në Spitalin e Prizrenit kryhen deri në 4 operacione në ditë me Laparaskop. Stafi mjekësor pohon se trajtimi i rasteve konsiderueshëm është rritur, derisa puna është bërë më e lehtë.

Shefi i Repartit të Kirurgjisë, Bajram Duraj, pret që numri i intervenimeve të rritet.

“Tendencat e spitalit tonë janë që të përhapet kjo gamë e intervenimeve dhe të synojmë që në të ardhmen, duke u furnizuar me disa pajisje shtesë për lloje të tjera të operacioneve, të trajtojmë edhe më shumë raste”, pohon Duraj.

Abesin Krasniqi beson se do të lirohet një ditë pasi është operuar, në bazë të rezultateve, të cilat ia kanë kumtuar mjekët, që, për të, janë të habitshme, por edhe shpresë të nisë punën me kohë.

Krasniqi është mësues me profesion dhe thotë që gjatë gjithë kohës e kishte mendjen te nxënësit, megjithatë kishte marrë premtimin e mjekëve se do të shërohet shpejt.

“Nuk më ka ra me prit as dy-tri ditë, vetëm sa i kam kryer analizat. Dje e kam kryer operacionin, sot po shpresoj me shku në shtëpi.  Njerëzit duhet t’u ikin paragjykimeve dhe ta shohin realitetin. Deri tash, të gjitha terapitë që i kam marrë, nuk e kam futur dorën në xhep të blejë barna, jam befasuar dhe nuk e kam pritë këtë, spitali i kishte të gjitha ato që duhet”, thotë Krasniqi.

Në bazë të raportit të punës, për periudhën shtator-prill 2018-2019, në Spitalin e Prizrenit janë trajtuar me Laparaskop pacientë edhe nga Qarku i Kukësit, Lezha e Pogradeci.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Maj 2020

- Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në shenjë nderimi për të burgosurit shqiptarë të vrarë para 21 vjetësh viziton Burgun e Dubravës në Komunën e Istogut. (Burgu i Dubravës ora 10:30)