11 Gusht 2020

Hoti kërkon mobilizimin e komunave për luftimin e pandemisë COVID 19

Prishtinë, 6 korrik - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pati sot një bashkëbisedim (në formë elektronike) me Asociacionin e Komunave të Kosovës, gjatë të cilit ai ua prezantoi kryetarëve të komunave të Kosovës masat e reja që janë ndërmarrë me qëllim të parandalimit dhe menaxhimit të pandemisë COVID 19.

Kryeministri Hoti mori përkrahje të plotë nga kryetarët e komunave për masat që ka marrë Qeveria e Kosovës pas shtimit të rasteve të të infektuarve me COVID 19, të cilët theksuan gatishmërinë e plotë të tyre për t’i bashkërenduar të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që situata e krijuar të përballohet sa më mirë.

Kryeministri Hoti tha se, pas konsultimit intensiv me ekspertët dhe me drejtuesit e institucioneve kryesore shëndetësore të vendit, si dhe duke i respektuar me përpikëri protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për masat e luftimit të pandemisë COVID 19, me të cilin ka obliguar Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore që t’i rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për t’i trajtuar rastet e prekura me COVID 19.

“Kemi paraparë mobilizimin e stafit shëndetësor në nivel vendi, duke përshirë sipas nevojave edhe ata profesionistë shëndetësorë që nuk janë të angazhuar momentalisht. Në veçanti, do të shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet COVID 19”, tha kryeministri Hoti duke kërkuar, me këtë rast, nga kryetarët e komunave që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për riaktivizimin e Shtabeve emergjente komunale për menaxhimin e pandemisë COVID 19.

Po ashtu, kryeministri Hoti theksoi se qeveria do të sigurojë ndarjen e buxhetit për angazhimin e personelit shëndetësor shtesë dhe për pajisjet mbrojtëse të personelit shëndetësor.

“Nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, kemi ndaluar çfarëdo qarkullimi të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, përveç në raste urgjente shëndetësore, sepse ekspertët e shëndetësisë këto komuna i kanë vlerësuar si vatrat më të prekura nga COVID 19”, tha kryeministri Hoti, duke kërkuar bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në mes të Qendrës së Situatave dhe Shtabeve komunale të menaxhimit të pandemisë COVID 19, të cilat duhet të riaktivizohen me kapacitet të plotë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të kryetarëve të komunave të Kosovës, të cilat kryesisht ndërlidheshin me përgjegjësitë dhe autorizimet e inspektorateve sanitare dhe me numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve komunalë sanitarë, kryeministri Hoti tha se komunat mund të angazhojnë, sipas nevojave të tyre, inspektorë shtesë, të cilët duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e parapara ndaj personave fizikë dhe juridikë, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave, sipas kompetencave që ua japin ligjet në fuqi.

Ndërsa, sa i përket rifillimit të procesit mësimor në institucionet shkollore, në muajin shtator, kryeministri Hoti ritheksoi se Qeveria e Kosovës do t’u përmbahet protokollove të OBSH-së dhe me kohë do të dalë me qëndrim për këtë çështje.

Gjithashtu, duhet të theksohet se shumica e kryetarëve të komunave shtruan si shqetësim procedurat e testimit për COVID 19, ndërsa kryeministri Hoti i njoftoi ata se Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, do të mundësojë decentralizimin e këtij procesi, nëpërmjet  licencimit të institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID 19, në përputhje me ligjet në fuqi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .