26 Prill 2024

Filloi Java Evropiane e Imunizimit

Prishtinë, 23 prill - Organizuar nga UNICEF-i, Ministria e Shëndetësisë, OBSh-Zyra në Prishtinë, IKSHP dhe profesionistët shëndetësor, sot në Prishtinë filloi shënimi i “Javës Evropiane të Imunizimit”.

Fillimi i kësaj jave u shënua me një një debat midis \"Ambasadorëve të vegjël\" me Ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, shefin e UNICEF-it në Kosovë, Johannes Wedenig, shefin e OBSh-së në Kosovë, Skënder Syla, dhe profesorët e lartë të IKSHP-së, Naser Ramadani, drejtor i këtij instituti dhe Isuf Dedushaj nga Departamenti i Epidemiologjisë.

Në këtë debat interaktiv ku “ambasadorët” e vegjël kënë bërë pyetje dhe komente, ndërsa autoritetet janë përgjigjur, u tha se imunizimi është një prej pikave të ndritshme të sistemit shëndetësor të Kosovës, duke qenë se shkalla e imunizimit të përgjithshëm në Kosovë është 95 për qind, dhe ka disa vite që Kosova është shpallur vend i lirë nga paraliza e fëmijëve (Polio) dhe nuk ka raste të fruthit, me të cilat këtyre ditëve po ballafaqohen edhe shtete të zhvilluara evropiane.

 Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë, u tha ambasadorëve të vegjël se përmes imunizimit, parandalohen sëmundje shumë serioze, të cilat mund t’i godasin fëmijët më vonë, dhe për këtë arsye imunizimi është mënyrë më e lehtë, më e lirë dhe më e mirë në parandalimin e shumë sëmundjeve.

“Imunizimi është pjesë e ndrtishme e sistemit shëndetësor të Kosovës, por duhet vazhduar me punë më tutje, me fushata të edukimit shëndetësor, duhet qasur edhe prindërve përmes fushatave dhe mediave të ndryshme, në mënyrë që të ketë një ndërgjegjësim edhe më të fuqishëm për nevojën e imunizimit në vazhdimësi, përkundër rezulteteve të shkëlqyeshme”, tha Ministri.

Johannes Wedenig, shef i UNICEF-it në Kosovë,  tha se  imunizimi nuk është përgjegjësi vetëm e personelit shëndetësor, prandaj theksoi ai, “ne dëshirojmë t’i mbrojmë fëmijët dhe këtë duhet të bëjë tërë shoqëria”. 

“Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e secilit prej nesh”, theksoi Wedenig, duke shtuar se UNICEF-i e ka ndihmuar MSh-në, që të bëjë blerjen e vaksinave me çmime sa më të lira dhe më cilësi sa më të lartë.

Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se ky institut është është përgjegjës për planifikim dhe zbatim të imunizimit bashkë me të gjitha qendrat shëndetësore në vend. “IKSHP në këtë konteskt ka shënuar rezultate impresive dhe mbulueshmëria me vaksinim është mbi 95 për qind dhe po bëjmë përpjekje që çdo fëmijë në Kosovë, përfshirë edhe komunitetin RAE  t’i marr vaksinat e duhura dhe që asnjë fëmijë të mos ketë paralizë.  Prej 1997 në Kosovë nuk ka asnjë rast të paralizs së fëmijëve”, tha Ramadani.

Profesori Isuf Dedushaj, tha se asnjëherë në historinë e njerëzimit, nuk ka pasur zbulim më të madh se vaksinat . Pasi kë bërë një përkujtues të mirë se si kishte filluar vaksinimi së pari në Kosovë, dhe i ka bërë ambasadorët të qeshin shpesh me shpjegimet e tij interesante, profesori Dedushaj tha se “ardhmëria e botës është në vaksinim dhe bota është në rrugë të mirë edhe në zbulimin e vaksinës kundër HIV/AIDS-it”.

Skënder Syla, shef i OBSH-së në Kosovë, tha se kjo organizatë dhe UNICEF-i i ndihmojnë instituconet që të përmirësohet gjendja shëndetësore e popullatës  në këtë aspekt edhe në procesin e vaksinimit .”Më 2003 kemi pasur një fushatë masive kundër fruthit dhe rubellës dhe falë donacionit të Danimarkës dhe rreth 500 mijë fëmijë në Kosovë janë vaksinuar kundër fruthit dhe rubellës, dhe sot nuk kemi raste të fruthit, derisa në Evropë ka 30 shtete që kanë raste të tilla. Ne do të vazhdojmë këtë përkrahje e bashkëpunim të kemi fëmijë dhe ‘ambasadorë’ të shëndoshë”, tha Syla.

Nga ana e tyre, ambasadorët e vegjël: Teuta Berisha, Rinesa Pllana, Amira Hoxha, Çlirim Sheremti  e Ledri Thaçi, kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme tek bashkëbiseduesit nga institucionet, me të cilët zhvilluan debatin me pyetje tejet përmbajtësore, por edhe me komente profesionale dhe tepër inkurajuese pavarësisht moshës së tyre.

Ata kanë kërkuar që në Kosovë të vazhdohet edhe më tej me një shkallë të lartë të vaksinimit, duke vënë veten në dispozicion për të bërë fushata në shkolla për të ndihmuar në vetëdijesim për rëndësinë e imunizimit.

Një theks i veçantë në këtë takim iu kushtua edhe rëndësisë së zbatimit të Ligjit për duhanin.

Ambasadorët e vegjël, pas këtij debati me role të simuluara, u shprehën të kënaqur nga zotimet që ju dhanë që në të ardhmen të këtë takime të tilla dhe bashkëpunim, për fëmijë sa më të shëndoshë në Kosovë.

Java Evropiane e Imunizimit zgjat deri më 29 prill.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)