27 Prill 2024

Zgjedhja e Kryeprokurorit Jetish Maloku për anëtarë të KPK-së e kundërligjshme

Prishtinë, 27 tetor - Platforma e Grupit për Studime Juridike dhe Politike 'Drejtësia Sot' ka reaguar ndaj nominimit dhe zgjedhjes së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), për shkak se një situatë e tillë paraqet shkelje të dispozitave ligjore të përcaktuara me Ligjin  06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Rregulloren Nr.06/2020 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Fillimisht, KPK, më datë 8 tetor, kishte marrë vendim më të cilin kishte shpallur zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e Prokurorive Themelore në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë dhe Ferizaj.

Në të njëjtën datë, ishte marrë edhe vendimi për themelimin e Komisionit Zgjedhor, i cili do të merret me mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Më datë 16 tetor, në ueb portalin e Sistemit Prokurorial të Republikës së Kosovës është publikuar lista e kandidatëve të nominuar për anëtarë të KPK-së, nga radhët e shtatë prokurorive themelore.

Në këtë listë, ndër kandidatët e nominuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ishte edhe Kryeprokurori Jetish Maloku, i cili në periudhën 2010 – 2015, kishte qenë pjesë e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, në kohën kur këto dy institucione ishin të integruara në një, por edhe pas ndarjes së mëvonshme të tyre.

Ligji  06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës në Nenin 12, paragrafi 1, përcakton se “Anëtarët e Këshillit qëndrojnë në detyrë për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje”.

Rregullorja Nr.06/2020 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në bazë të së cilës është duke u organizuar ky proces zgjedhor, në nenin 8, paragrafi 4, përcakton se “Prokurorët që plotësojnë kushtet nga prokuroria përkatëse ku zhvillohen zgjedhjet kanë të drejtë të jenë të nominuar për anëtarë të KPK-së”.

Drejtësia Sot, bazuar në ligjin dhe rregulloren përkatëse konsideron që kandidimi i Jetish Maloku, lejimi i kësaj kandidature dhe përzgjedhja që i njëjti të propozohet në Këshill për t’u emëruar anëtarë, është në kundërshtim me Ligjin  06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kjo meqenëse i njejti ka mbajtur njëherë një mandat të tillë, siç është cekur më lartë. Njëkohësisht, të njejtat veprime janë në kundërshtim edhe me Rregulloren Nr.06/2020 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, meqenëse Jetish Maloku duke qenë se veçse ka mbajtur njëherë një pozitë të tillë, i njejti nuk plotëson kriteret që të jetë i nominuar për anëtarë të KPK-së.

Për më tepër Drejtësia Sot thekson se është e pakuptimtë heshtja e Komisionit Zgjedhor të KPK-së, në një situatë të tillë, duke mos vepruar në pajtim me Nenin 8, paragrafi 5, të Rregullores,  më të cilën dispozitë, këtij komisioni, i njihet e drejta për refuzimin e kandidaturës së kandidatëve të nominuar për anëtarë prokurorë të KPK-së, të cilët nuk i plotësojnë kriteret ligjore.

"Kujtojmë që, Kryeprokurori Jetish Maloku, në zgjedhjet e mbajtura më datë 22 tetor 2020, ka arritur që të fitojë 14 nga 15 votat e të gjithë prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke hyrë kështu në listën e kandidatëve potencial për tu bërë serish anëtarë i KPK-së, nga radhët e kësaj prokurorie", vlerëson Drejtësia Sot.

Krejt në fund, Drejtësia Sot, fton KPK-në që të bëj anulimin e zgjedhjeve për anëtarë prokurorë të saj nga radhët e Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe të bëj ri-shpalljen e këtij konkursi, por duke u siguruar që kandidatët e nominuar dhe procesi zgjedhor të jenë në pajtim me Ligjin  06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Rregulloren Nr.06/2020 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)