26 Prill 2024

Të paditurit dhe të inkriminuarit e lanë në izolim Kosovën

Prishtinë, 3 maj - Vështirë se dikush mund ta imagjinonte se pas një dekade që kur edhe u shpall pavarësia, shteti i Kosovës do të ishte në një gjendje kaq të rëndë.

 Analistët dhe qytetarët thonë se askush nuk e kishte imagjinuar se Kosova, për shkak të kësaj klase politike tërësisht të inkriminuar, do të izolohet ndërkombëtarisht, do të ketë mafinë kriminale që udhëheq me shtetin në të gjitha nivelet e qeverisjes, që nuk do të ketë sundim të ligjit, që do ta kemi arsimin më të dobëtin në rajon e më gjerë, me shëndetësinë më të keqe jo vetëm në rajon, por edhe më keq se vendet afrikane, pa zhvillim ekonomik dhe shteti do të dorëzohet në duart e mafio-oligarkëve të inkriminuar që mbajnë monopol pas monopoli, e Prokuroria nuk guxon të marrë asnjë veprim ligjor.

Kosova dhe qytetarët e saj kanë mbetur peng i një grushti individësh të inkriminuar, të cilët për interesa personale e të një grupi të ngushtë po e çojnë këtë vend drejt shkatërrimit dhe falimentimit. Sipas këtyre analistëve dhe qytetarëve të anketuar, shteti do të vazhdojë që të degradojë përderisa askush nuk po e ka guximin dhe aftësinë që këtë grusht individësh në krye të shtetit ta çojë aty ku e kanë vendin, për t'u përballur me drejtësinë.

Kosova, peng i një grushti mafiozësh

Analisti politik, Ilir Fetahu tha për " Kosova Sot", se situata jo e mirë ekonomike dhe politike është rezultat i klasës politike. "Është për keqardhje, sepse në radhë të parë kemi të bëjmë me njerëz të paditur, të inkriminuar, dhe të vjen keq kur i sheh në krye të institucioneve të Kosovës dhe qasjen e tyre që ata e kanë për shtetin e Kosovës", vlerësoi ai.

"Politika kosovare dhe shoqëria në tërësi duhet që sa më parë të lirohet nga këta njerëz, në mënyrë që të ecet përpara me njerëz normalë dhe të shkojmë në zhvillime të përgjithshme ekonomike, por edhe në rrugën tonë integruese që e presin Kosovën", theksoi Fetahu.

"Kosova nuk ka kohë që më të pretë, sepsenjerëzit po na ikin nga Kosova, sepse këta pushtetarë po i lamë edhe pak vjet do të mbesin vetëm në pushtet dhe të vetmuar, sepse definitivisht Kosova është bërë peng i këtyre pushtetarëve, sepse fundja askund në botë nuk ka që një qeveri që i ka në një Kuvend prej 120 vetash vetëm 52 vota dhe të njëjtët na thonë se jemi një qeveri funksionale", potencoi ai.

Ndërsa, analisti politik, Arsim Haziri, për " Kosova Sot ", tha se kush e kishte imagjinuar se Kosova, për shkak të kësaj klase politike tërësisht të inkriminuar, do të izolohet ndërkombëtarisht, do të ketë mafinë kriminale që udhëheq me shtetin në të gjitha nivelet e qeverisjes,që nuk do të ketë sundim të ligjit, që do ta kemi arsimin më të dobëtin në rajon e më gjerë, me shëndetësinë më të keqe jo vetëm në rajon, por edhe më keq se vendet afrikane, pa zhvillim ekonomik dhe shteti do të dorëzohet në duart e mafio-oligarkëve të inkriminuar, që mbajnë monopol pas monopoli, e Prokuroria nuk guxon të marrë asnjë veprim ligjor.

"Kosova dhe qytetarët e saj kanë mbetur peng i një grushti individësh të inkriminuar, të cilët për interesa personale e të një grupi të ngushtë po e çojnë këtë vend drejt shkatërrimit dhe falimentimit", theksoi ai.

"Pa asnjë dyshim se shteti do të vazhdojë që të degradojë, përderisa askush nuk po e ka guximin dhe aftësinë që këtë grusht individësh në krye të shtetit ta çojë aty ku e kanë vendin, për t'u përballur me drejtësinë", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot"

"Këta jo vetëm se nuk kanë moral, por edhe nuk dinë se si të qeverisin me vendin", tha Ilir Fetahu për "Kosova Sot"

Qytetarët fajësojnë elitën politike

Veç njohësve të rrethanave të politikës, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer me kastën e politikanëve tanë të pasluftës.

Qytetari Ismajl Muçiqi, për gazetën "Kosova Sot ", tha se tërë përgjegjësia bie tek klasa politike aktuale.

 "Fati i rinisë dhe qytetarëve dhe popullit të saj ka mbetur në dorë të klasës politike aktuale dhe kjo është e mjerueshme. Por, ajo që po më befason është vetëdija shumë e ulët e qytetarëve tanë", u shpreh ai.

"Këta pushtetarë si janë duke e drejtuar shtetin, Kosova po shkon drejt shkatërrimit e falimentimit dhe kah ajo më e keqja po shkon drejt izolimit", vijoi më tutje Muçiqi. Ndërsa, qytetari Kreshnik Alaj, për "Kosova Sot", tha se me këtë udhëheqësi e me këta politikanë vështirë se nuk mund të ecim para.

"Na duhen njerëz të rinj e të pakorruptuar, andaj na nevojiten forca të reja, por e keqja është se sistemi i qeverisjes në Kosovë është i tillë që i korruptojnë edhe njerëzit e rinj që porsa vijnë në funksion", u shpreh ai.

Kurse qytetari Ajet Hoxha, për " Kosova Sot", tha se nuk ka besuar se do të vijmë në këtë situatë.

"Kemi menduar se do të jemi të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm dhe tash e kemi kuptuar këtë se nuk jemi duke shkuar rrugës së drejtë dhe duke e sjellë shtetin para falimentimit dhe izolimit. Fajtorë për këtë janë politikanët tanë", theksoi ai.
/Kosova Sot/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)