05 Korrik 2020

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, i korruptuar

Prishtinë, 14 qershor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi deklaron se procesi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë është politizuar shumë, megjithëse pranon se deri më tani ka pasur shumë pak veprime konkrete për luftimin e tij.

“Procesi i luftës kundër dukurive negative, siç është krimi i organizuar dhe korrupsioni, është politizuar shumë, ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve është vepruar tepër pak. Mendoj se lufta, propaganda, duke i shfrytëzuar edhe mjetet e informimit konsideroj se ka krijuar një perceptim të gabueshëm në përgjithësi. Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se çështjet e luftës kundër dukurive negative nuk duhet të mediatizohen, nuk duhet të politizohen por përkundrazi sistemi i drejtësisë duhet ta kryejë detyrën e vet sipas të drejtave që i ka me kushtetutë dhe me ligjet në fuqi”, deklaroi kryetari i Kuvendit në një intervistë për BBC-në.

Krasniqi tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është reformuar, dhe e cilësoi atë si të korruptuar, prandaj sipas tij, ky sistem e ka të vështirë të vihet në krye të luftës kundër dukurive negative.

“Ndoshta duket pak kundërthënëse por një gjë është e vërtetë, se gjatë gjithë këtyre viteve sistemi i drejtësisë në Kosovë që në një ose formën tjetër është drejtuar nga faktori ndërkombëtar ka mbetur vërtetë shumë i pareformuar, shumë jo veprues. Deri tani është folur me të madhe dhe është shkruar se një nga sistemet më të korruptuara në Kosovë është sistemi i gjyqësisë, sidomos gjyqësia, dhe asnjë hap konkret nuk ka pasur. Mund të them se një sistem, siç është gjyqësia, vetë e korruptuar e ka të vështirë të marrë dhe ta udhëheqë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive negative në shoqëri. Prandaj, ne nuk po e hedhim fajin askund, por po themi se sistemi i drejtësisë nuk e ka politikbërjen qëllim as për ta pyetur opinion se çfarë mendon, por e ka për obligim që të zbatojë kushtetutën dhe ligjet në fuqi për të luftuar të gjitha dukuritë negative”, shtoi Krasniqi.

Kryetari i kuvendit ka shprehur bindjen se nëse sistemi i drejtësisë vepron mbi bazën e fakteve dhe të dëshmive, nuk do të ketë reagime në opinion edhe në rastin e arrestimeve të paralajmëruara.
Krasniqi ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është penguar nga zhvillimet e brendshme por, sipas tij, shtyrjet mund të kenë ndodhur për shkak të vonesës së shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Korrik 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi Inspekton investimet në fushën e futbollit në fshatin Novosellë të Pejës. (Fshati Novosellë, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim drejtuesit e institucioneve shëndetësore. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton shpellën “Bukuroshja e Fjetun”, promovim i turizmit kulturor. (Pejë, ora 13:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Garën ndërkombëtare e automobilizimit “Kulla 2020”. (Pejë, ora 15:30)