23 Tetor 2020

Shoqëria civile kërkon të votohet ‘pro’ ligjit për financimin e subjekteve politike

Prishtinë, 15 tetor - Në seancën e nesërme, Kuvendi pritet të shqyrtojë në lexim të parë projektligjin lidhur me financimin e subjekteve politike.

Shoqëria civile konsideron se versioni i projektligjit që është sjellë në Kuvend përbën një hap të madh në avancimin e transparencës dhe llogaridhënies financiare të subjekteve politike karshi publikut.

Miratimi i këtij projektligji, që reflekton edhe opinionin e Komisionit të Venedikut, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e shoqërisë civile dhe e faktorit ndërkombëtar.

Si entitete që synojnë të qeverisin me qytetarët dhe vendin, subjektet politike duhet të demonstrojnë shembull të mirë të vetëqeverisjes, duke garantuar në radhë të parë që, financimi dhe shpenzimet e tyre bazohen në parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Marrë parasysh rëndësinë e madhe të këtij projektligji, ne, Organizatat e Shoqërisë Civile, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos vonojnë votimin e këtij projektligji.

Miratimi në lexim të parë do t’i hapë rrugë krijimit të grupit punues, puna e së cilit kërkojmë që të jetë e hapur dhe transparente, si dhe të garantojë përfshirjen e shoqërisë civile.

Demokraci Plus (D+)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

Lëvizja FOL

Organizata Çohu!

Westminster Foundation for Democracy (WFD)

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2020

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (ndërtesa e KQZ-së në, kati i parë, ora 10:00) 

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviziton ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit; Blerim Kuçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Në kuadër të përmbylljes së “Javës  Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë”, ministri i MPMS-së, Skender Reçica viziton fabrikën “NewCo Ferronikeli”. (Drenas, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e “Memorialit të Komandant Drinit - Ekrem Rexha. (Tek parku përballë Shtëpisë së Bardhë, ora 11:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Zëvendës kryesuesin e Bordit të Agjencisë së Privatizimit, Naser Osmani. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian takohet me Shefin e Zyrës dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovës, Tomáš Szunyog në lidhje me Raportin për Kosovën 2020 të publikuar nga Komisioni Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 12:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ish Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pritet me një ceremoni zyrtare kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. (Para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, ora 14:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev mbajnë konferencë për media. (Konferenca do të përcillet online, ora 15:05)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon bisedën “Off the record: Gjendja e hapësirave të braktisura”. (Kino Armata, ora 15:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. (Ndërtesa e Presidencës në Shkup, ora 15:35)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. (Kabineti i Kryetarit të Kuvendit në Shkup, ora 16:10)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Artan Grubi, Zëvendës Kryeministër i parë i shoqëruar edhe Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së. (Ndërtesa e Kuvendit në Shkup, ora 16:35)

- Nënshkruhet MoU për krijimin e rrjeteve të pastra 5G në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Departamentit të SHBA-ve. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:15)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Udhëheqësit e partive politike si Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, Bilall Kasami nga Lëvizja Besa,  Afrim Gashi nga Alternativa dhe Menduh Thaqi nga PDSH. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:40)