27 Prill 2024

Rrjeti i Grave të Kosovës mbështetë Presidenten Jahjaga

Prishtinë, 7 shkurt - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) qëndron me krenari me Presidenten Atifete Jahjaga, pas lajmit se ajo duhet të paraqitet para gjykatës me 14 shkurt në përgjigje të një padie shpifëse.

Presidentja Jahjaga ngriti zërin për Shyhrete Berishën, një grua që pothuajse e humbi shtëpinë e saj kur familja e burrit të saj u përpoqën t’ia merrnin pronën. Tani familja e burrit të Shyhretes padit Presidenten Jahjaga pas fjalimit të saj që doli në mbrojtje të së drejtës së zonjës Berisha për të mbajtur pronën e saj.

Kjo padi është thjesht një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga trajtimi çnjerëzor i kësaj familjeje ndaj Znj. Berisha, pasi e kanë bërë atë të kalojë me vite nëpër procese gjyqësore për të kërkuar zbatimin e të drejtës së saj të pamohueshme në pronë.

Ne besojmë që Presidentja Jahjaga është paditur padrejtësisht pasi që ka ngritur zërin për të drejtat e zonjës Berisha dhe për të drejtat e të gjitha grave për të zotëruar pronën. Ne besojmë se gjykata do ta konsiderojë këtë padi të paarsyeshme dhe se drejtësia do të mbizotërojë.

Më gjerësisht, këtë e konsiderojmë një përpjekje për të heshtur ata dhe ato që flasin kundër padrejtësisë dhe guxojnë të ngrisin zërin kundër shkeljeve të të drejtave të grave. Vet ideja për të mbrojtur të drejtat e grave zëshëm do të konsiderohej shpifje kundër një familjeje të mveshur në një kulturë tradicionale të patriarkatit, e cila mbron interesat e atyre në pozita të pushtetit, pra burrat, duke shkelur dhe duke i mohuar të drejtat e grave.

Pretendime të tilla të pajustifikuara shërbejnë për të minuar punën dhe lirinë e fjalës së mbrojtësve të të drejtave njerëzore të gruas, si Presidentja Jahjaga, me qëllim të ruajtjes së status quos dhe marrëdhënieve ekzistuese të pushtetit.

Presidentja Jahjaga vazhdimisht ka ngritur zërin për të drejtat e grave. Ajo ka qëndruar fuqishëm me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke luftuar që t’u njihet statusi, të nderohen dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë.

Ajo është ngritur kundër padrejtësive të kryera kundër grave si Znj. Berisha dhe shumë të tjerave si ajo, të cilat rrezikojnë të humbasin pronën e tyre për shkak të normave tradicionale patriarkale që trajtojnë "të drejtat e familjes" si më të rëndësishme se sa të drejtat e grave. Më shumë se një vit pas largimit nga presidenca, Presidentja Jahjaga vazhdon të avokojë fuqishëm për të drejtat e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht të grave.

Dhe kjo është arsyeja pse tani duhet të ftojmë të gjithë të qëndrojmë me të, në solidaritet.

Rrjeti i Grave të Kosovës është rrjet i 126 organizatave të ndryshme të të drejtave të grave në gjithë Kosovën që synon të mbrojë, promovojë dhe mbështesë të drejtat e grave dhe vajzave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)