13 Gusht 2020

RrGK kërkon zvogëlimin e numrit të zëvendësministrave

Prishtinë, 3 korrik - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh pakënaqësi dhe shqetësim lidhur me moszbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj) me rastin e emërimit të zëvendësministrave nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Kjo qeveri deri tash ka emëruar 46 zëvendësministra, madje në disa ministri janë nga pesë zëvendësministra. Megjithatë, edhe kësaj radhe vërehet numri tejet i vogël i grave të emëruara. Sipas raportimeve nga mediat, vetëm tetë nga 46 zëvendësministra janë gra. Përkthyer në përqindje i bie që vetëm 17,4% e këtyre posteve u takojnë grave.

Ky numër i vogël bie direkt ndesh me LBGj-në, ligj ky i cili garanton barazi ndërmjet gjinive (50/50), si kusht i zhvillimit të një shoqërie demokratike ku burrat dhe gratë kanë mundësi krejtësisht të barabarta në sferën politike dhe atë publike.

Pavarësisht numrit të përgjithshëm të zëvendësministrave, RrGK kërkon nga qeveria që të zbatojë këtë ligj dhe po ashtu që marrëveshjet politike të mos paraqesin rrezik për të mirën e përgjithshme.

Andaj, përmes kësaj kumtese, RrGK parashtron dy kërkesa, si në vijim:

·       Të zvogëlohet numri i zëvendësministrave, pasi kjo çon në shpërdorim të parasë publike kur qartazi duket që kemi të bëjmë me akomodim të militantëve politik,

·       Të ketë përfaqësim të barabartë gjinor 50/50 në postet e zëvendësministrave.

RrGK me punën dhe aktivizmin e bërë që nga themelimi, përpiqet për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, si dhe jetojnë një jetë pa dhunë.

Prandaj, në përputhje të plotë me këtë vizion, RrGK përgjatë gjithë mandatit udhëheqës të kësaj qeverie do të kërkojë llogaridhënie publike dhe transparencë të plotë për punën e ekzekutivit që ndikon në realizimin e këtyre objektivave jetike për mirëqenien e të gjitha grave në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Gusht 2020

- Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, viziton Komunën e Deçanit. (Objekti i Komunës se Deçanit, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi për financimin e projekteve infrastrukturore me kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova. (Komuna e Istogut, ora 10:00)

- Policia e Kosovës organizon ceremoninë e prerjes së shiritit të objektit të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Radavc ku pjesëmarrës do të jenë Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, përfaqësues të ICITAP-it Amerikan dhe personalitete të larta vendore, përfshirë epror të PK-së. (Radavc, rruga Vitomiricë - Kullë, ora 11:00)                                              

- Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prizrenit do të bëjë hapjen e pjesës së renovuar të QKMF-së, ku do të punojë ndërrimi i tretë ku i pranishëm do të jetë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DSH-së, Narqize Arënliu Hoxhaj. (QKMF në Prizren, ora 12:00)