26 Prill 2024

Qeveria miraton strategjin e bashkëpunimit me shoqërinë civile

Prishtinë, 12 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot Strategjinë e Bashkëpunimit me Shoqërinë Civile 2019-2023.

Strategjia është vazhdimësi e strategjisë paraprake 2013-2017, e cila ndërlidhet me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku qeverisja e mirë dhe transparenca janë parime thelbësore për të kontribuar në zhvillimin e institucioneve për përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë.

Strategjia ka identifikuar katër objektiva strategjik: Rritje të pjesëmarrjes së shoqërisë civile në bërjen e politikave; Rritja e llogaridhënies dhe transparencës në financimin publik të OSHC-ve; Zhvillimi i praktikave dhe procedurave për kontraktim të shërbimeve publike nga OSHC-të dhe Nxitjen e promovimit të vullnetarizmit dhe programeve për interes publik. 

Po sot, Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Fatos Makollin, koordinator nacional për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Me qëllim të mbarëvajtjes së aktiviteteve për shënimin e 11 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 500,000 euro (pesëqind mijë euro).

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe vendimi për mbështetjen financiare për realizimin e projektit filmik “Lojë jete”, një koproduksion mes ILIRIA FILM dhe produksione amerikane.

Filmi do të realizohet në Kosovë dhe në SHBA dhe me pjesëmarrje të aktorëve kosovarë dhe amerikan. Shuma e ndarë për mbështetje të këtij projekti kinematografik është 180 mijë euro.

Me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes është miratuar Rregullorja për prokurimin për qëllim të mbrojtjes dhe sigurisë.

Me këtë rregullore bëhet përcaktimi i rregullave, kushteve dhe procedurave të prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë, të furnizimeve, shërbimeve dhe punëve, të cilat janë të përjashtuara nga Ligjit përkatës për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.

Zbatimi i këtij akti normativ do të jetë obligativ për  institucionet e Republikës së Kosovës, për personat fizik dhe juridik, të cilët në çfarëdo forme marrin pjesë në realizmin e prokurimeve për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë, e të cilat janë të përjashtuara nga Ligji përkatës i Prokurimit Publik.

Miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marr edhe Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Kjo Rregullore do të rregullojë strukturën organizative të kësaj ministrie.

Ka marr miratimin në mbledhje të Qeverisë edhe nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes për partneritet, tregti dhe bashkëpunim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Marrëveshja do të zëvendësonte marrëveshjen ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me qëllim të sigurisë dhe vijimësisë së kushteve të qasjes në treg, që aktualisht janë të zbatueshme, në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)