28 Maj 2020

Qeveria miraton Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së

Prishtinë, 19 maj - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës është aprovuar Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024.

Ky është Programi i pestë me radhë për zbatimin e MSA-së ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, që nga hyrja e saj në fuqi, më 1 prill 2016.

Programi ka për qëllim zbatimin e të gjitha reformave për adoptimin e Acquis-së së BE-së në legjislacionin kombëtar në të gjithë kapitujt e saj.

Programi i rishikuar paraqet një kornizë gjithëpërfshirëse të reformave konkrete afatshkurtra dhe objektivave prioritare afatmesme me prioritet (për periudhën 2020-2024) për zbatimin e MSA-së, përmes përfarimit të legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe zbatimit të legjislacionit të përafruar. Të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tri blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike dhe Standardet Evropiane – Përafrimi i Legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së.

Kriteret politike mbulojnë fushat e ligjvënies, ekzekutivit, reformave kushtetuese, reformës së sistemit zgjedhor dhe të administratës publike, bashkëpunimit rajonal, si dhe, pjesërisht, ato të sundimit të së drejtës, gjyqësorit, të drejtave themelore dhe mbrojtjes së minoriteteve.

Ky bllok përmban pesë kapituj: Kushtetuta, Parlamenti dhe sistemi zgjedhor; Administrata publike; Avokati i Popullit; Mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë; dhe Bashkëpunimi rajonal dhe obligimet ndërkombëtare.

Kriteret ekonomike janë harmonizuar me Programin për Reforma Ekonomike (PRE). Ky bllok gjithashtu reflekton prioritete dhe aktivitete të dalë nga mekanizma të tjerë të dialogut me BE-në, si prioritetet vjetore, konkluzionet e strukturave të MSA-së, ose nga mekanizmat multilateralë, si marrëveshjet me FMN, etj.

Ky bllok përmban dy kapituj: Ekzistenca e ekonomisë funksionale të tregut, dhe Kapaciteti për t’u përballur me presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda Unionit.

Standardet evropiane – përafrimi i legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së përfshin të gjitha politikat publike që mbulojnë acquis e BE-së dhe kërkon reformimin e tërë qeverisjes përmes miratimit të saj në legjislacionin kombëtar dhe zbatimit të saj.

Ai përmban 33 kapituj të acquis-së dhe një kapitull mbi kornizën ligjore për përafrimin e legjislacionit vendor me acquis.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB) për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Nisma parasheh arritjen e marrëveshjes për kredi në vlerë prej 35 milionë euro që do të përdoret për përmirësimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët e Kosovës të prekur nga COVID-19.

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Maj 2020  - Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, viziton Komunën e Prishtinës. (Objekti i vjetër i Komunës, ora 10:00)

 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike në të cilën do të votohet Raporti Vjetor i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si dhe shpallja e konkursit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit”, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00 -mbledhja do të mbahet pa prezencën e mediave)

- Ambasada e Italisë dhe Ushtria Italiane prezantojnë kontributet e tyre për Ministritë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike në përgjigje të pandemisë globale Covid-19 në Kosovë. (Salla e konferencave të Administratës Qendrore të QKUK-së, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të diskutohet kërkesa e KOSTT-it për miratimin e Planit të biznesit, propozim rregullorja për rendin dhe qasjen e  mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit, propozim rregullorja për shfrytëzimin e automjeteve të Kuvendit, raporti i shpenzimeve të Kuvendit, shpenzimet e telefonisë mobile dhe reprezentacionit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 12:00)

- Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës. aktivitetit “KarrieraUP” ku folës do të jetë përfaqësuesi nga kompania farmaceutike “Gentipharm”, Demir Shkodra. (Facebook.com/qzhkunipr, ora 13:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës në të cilën shqyrton raportin për azhurnimet e të dhënave vjetore të Partive Politike, raportin për dorëzimin e raporteve të shpenzimeve vjetore të partive politike, raportin për deklarimin e partive politike për vazhdimin e regjistrimit, etj. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)

- Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia e Partisë Demokratike të Kosovës, ora 15:30)

- Një delegacion austriak i kryesuar nga Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme, Alexander Schallenberg do të qëndrojë për vizitë të shkurtër zyrtare në Republikën e Kosovës ku do të pritet nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca. (Hapësirat e Terminalit VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ora 15:45)

- Lëvizja Vetëvendosje organizon protestë. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 17:00)

- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Ministri i Integriemev Evropiane Blerim Reka se bashku me Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme te Austrisë, Alexander Schallenberg dhe Ministren për Evropë e Austrisë, Karoline Edtstadler mbajnë konferencën e përbashkët për media. Aeroporti i Prishtinës, ora 17:00)