30 Shtator 2020

Qeveria miratoi katër projektligje, disa rregullore dhe vendime

Prishtinë, 6 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhjen e 20-të, në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore dhe vendime të fushave të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Me ndryshimet dhe plotësimet e miratuara, në Programin Legjislativ për vitin 2020 do të përfshihet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, lidhur me Financimin e Programit - Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit. Gjithashtu me këtë plotësim-ndryshim, Projektligji për Zhvillim Rajonal bartet nga Programi Legjislativ i vitit 2020 në Programin Legjislativ të vitit 2021.

Me vendime të veçanta, në mbledhjen e sotme, janë miratuar këto projektligje: Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës; Projektligji për Pronën Publike; Projektligji për Tokën Ndërtimore dhe. Projektligji për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe Rregullorja për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, e cila ka për qëllim të përcaktojë procedurat dhe kriteret e dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës për interes publik, si dhe bartjen në pronësi të komunës të pronave të paluajtshme, të cilat administrohen nga institucionet qendrore.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar edhe Vendimin për krijimin e Trupit drejtues ndërministror për zhvillimin e projekteve madhore rrugore të përbërë nga Ministri i Infrastrukturës, Ministri i Financave, Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministri i Pushtetit Lokal

Po ashtu, janë miratuar vendimet për t’i kërkuar Presidentit të Republikës së Kosovës autorizimin e Ministres së Financave për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve:

1. Marrëveshjes së Kredisë Emergjente për Infrastrukturë Vitale në mes Republikës së Kosovës, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në vlerë prej 30 milionë eurosh; dhe

2. Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID – 19”, në vlerë prej 35 milionë eurosh. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të mbështetet sektori publik shëndetësor, ku një pjesë e mjeteve do të financojë retroaktivisht masën 6 dhe 7 të Pakos Emergjente Fiskale, si dhe pajisjet e prokuruara nëpërmjet Planit të Gatishmërisë së Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa, pjesa e mbetur e mjeteve do t’u dedikohet pajisjeve të reja, për të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK kanë shprehur nevojë për trajtimin e virusit COVID – 19. Kushtet e kësaj kredie janë më të volitshme, sesa ato të tregut, ndërsa norma e interesit është subvencionuar deri në 1 milion euro nga Banka. Ky projekt shënon marrëveshjen e parë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për sektorin publik në Kosovë.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe nisma për negocimin e Amendamentimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Zvicrës për “Programin Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në Zonat Rurale faza (dalëse) VI”. Përmes këtij amenandamentimi Qeveria e Zvicrës vë në dispozicion një shtesë të grantit prej 572 mijë frangash zvicerane, e cila rrit shumën totale deri në 7,672,000 milionë franga zvicerane, të cilat do të përdoren ekskluzivisht për zbatimin e programit, sipas qëllimeve dhe objektivave të përcaktuara. Marrëveshja aktuale mbulon periudhën nga 1 janari 2019 deri më 31 dhjetor 2022.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 Shtator 2020 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me Komision me përfaqësuesit e Komisionit  qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Prishtina Mall”. (Zona industriale Prishtinë - Lipjan, tek rrethi i QMI-së, ora 10:00)

- Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë organizon publikimin e raportit “Indeksi Kosovar i Reziliencës-Ekstremizmi i Dhunshëm në Kosovë: Çfarë mund të mësojmë nga rezilienca në komunitet?” (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e katërt e rregullt për vitin 2020 të Kuvendit Komunal të Prizrenit. (Salla për mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, tek “Shtëpia e Bardhë”, ora 10:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për Procesin Zgjedhor. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

 - Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike shqyrton raportin vjetor të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut dhe të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10,, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët e LV-së në Arbëri, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi nesër zhvillon vizitë në Komunën e Drinasit. (Ambientet e Komunës së Drinasit, ora 11:00)
 
- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Ciao Berto”. (Magjistralja Prishtinë - Mitrovicë, km2, ora 11:30)

- Grupi i aktorëve të Prishtinës do mbajnë protestë pasi që kërkesat e tyre të deritanishme nuk janë realizuar. (Para objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, ora 12:00)

-  Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës si dhe shqyrton raportin Vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)
 
- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Lesna”. (Rruga Lidhja e Pejës nr. 133 10000, ora 13:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, i ftuar Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:30)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon edicionin e tretë të Metamorphosis. (Objekti i Kryqit të Kuq, në rrugën "Xhemajl Prishtina", nr.36 te RTK-ja te pazari, ora 16:30)

- Në kuadër të javës së tretë të programit publik në Festivalin e Arkitektures në Kosovë. (Drejtperdrejt në faqen facebook-ut të Festivalin e Arkitektures, ora 18:30)