26 Prill 2024

Qeveria mbanë mbledhjen e saj të 36-të

Prishtinë, 16 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e 36-të me radhë dhe ka miratuar vendime dhe dokumente të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria ka miratuar tri vendime për dhënien e mendimit për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave; Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin  e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar; dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale. Qeveria nuk ju ka dhënë mbështetje iniciativave të deputetëve për ndryshimet dhe plotësimet e këtyre ligjeve. Ministria e Financave është në proces të rishikimit  të legjislacionit tatimor, duke bashkëpunuar edhe me komunitetin e biznesit dhe duke harmonizuar legjislacionin me direktivat e Bashkimit Evropian dhe ka rekomanduar që komisionet përkatëse të Kuvendit të diskutojnë legjislacionin pasi që Qeveria e Republikës së Kosovës të përcjell këto projektligje në Kuvend. Kjo pritet të ndodhë gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit 08/32 të datës 20 shkurt 2018, për ndarjen e mjeteve për mbështetjen e familjeve të rrezikuara të komunitetit egjiptian. Me ndryshimin e miratuar rritet numri i familjeve përfituese nga ndihma prej 120 mijë eurove, nga 792 familje në 1348 familje nga ky komunitet.

Është miratuar edhe Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Qeveria ka miratuar Udhëzimin Administrativ për mënyrën e funksionimit të pikës së vetme të kontaktit. Udhëzimi ka për qëllim lehtësimin e qasjes në shërbime për ofruesit dhe përfituesit e tyre. Udhëzimi rregullon edhe përgjegjësinë e organeve kompetente për pikën e vetme të kontaktit.

Edhe Udhëzimi administrativ për procedurën e njoftimit dhe vlerësimit të përputhshmërisë së projekt akteve normative me Ligjin për shërbime është aprovuar në mbledhjen e sotme. Udhëzimi administrativ do të rregullojë mënyrën dhe metodologjinë për procedurat e njoftimit  dhe vlerësimit të përputhshmërisë së projekt akteve me Ligjin për shërbime, i cili obligon organet kompetente që gjatë hartimit të akteve normative për ofrimin e shërbimeve, të njoftojnë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për përputhshmërinë e akteve sipas kërkesave të përcaktuara në Ligjin për shërbime. Përputhshmëria e të gjitha dispozitave që ndërlidhen  me shërbimet duhet të bëhet nga organet kompetente dhe të vlerësohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Kabineti qeveritar ka aprovuar Raportin e vlerësimit të përshtatshmërisë së financimit të komunave për vitin 2017.

Vendimet preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik, që preken nga ndërtimi i rrugëve Balincë-Pejë dhe Kërpimeh-Mitrovicë kanë marr aprovimin e Qeverisë. Edhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit të pronave të paluajtshme për qëllim të shndërrimit të shtëpisë muze “Ukshin Hoti”, është miratuar në mbledhjen e sotme.

Është aprovuar Koncept-dokumenti për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Kjo çështje është e rregulluar me ligj, por meqenëse ka skaduar afati për aplikimin për blerjen e banesave, dhe konsiderohet se ka ende bartës të së drejtës banesore, të cilët për arsye objektive nuk kanë aplikuar, vazhdimi i afatit ju mundëson plotësimin e detyrimit të shtetit për respektim dhe mbrojtje të të drejtës në pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare.

Kabineti qeveritar ka ndarë mjete financiare për Komunën e Prishtinës për pagesën  e shërbimeve të Ndërmarrjes Publike Komunale – Trafiku Urban, për transportin falas të qytetarëve, në kohën e ndalimit të qarkullimit të automjeteve brenda qytetit të Prishtinës në datat 31 janar dhe 1 shkurt të këtij viti.

Moris Hyseni, analist në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike,  është emëruar në cilësinë e Agjentit dhe të Drejtorit të Përgjithshëm (pro bono – pa pagesë), me qëllim të regjistrimit të Ndërmarrjeve Publike Qendrore “Ndërmarrje Publike për organizimin e mbeturinave të rrezikshme”.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka informuar kabinetin me procesin e organizimit të mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Zëvendëskryeministri ka njoftuar se janë zhvilluar një varg takimesh bilaterale me krerët institucional të Republikës së Maqedonisë ku janë prezantuar një listë e gjatë e temave për marrëveshje në mes të dyja vendeve. Ai ka kërkuar nga ministrat që të përfundojnë përgatitjen e temave për diskutim deri në fund të marsit.

Është miratuar vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Higjiena” në Deçan. Ndërmarrja është themeluar me 100% aksione të Komunës së Deçanit. Komuna do të veprojë si aksionar i vetëm i ndërmarrjes në regjistrimin e saj sipas ligjit. Të drejtat e aksionarit do t’i ushtrojë Komisioni Komunal i Aksionarëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërmarrja do të ushtrojë veprimtarin në grumbullimin, trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinave, hapjen e rrugëve nga dëbora, shërbimet e mirëmbajtjes së varrezave dhe funeraleve, pastrimin e hapësirave publike, parqeve, shesheve dhe monumenteve kulturore e historike.

Me vendimin e aprovuar sot në mbledhje, Besnik Tahiri është emëruar Koordinator  Nacional  për Reforma Shtetërore. Ai do të koordinoj, mbështet, analizon dhe lehtëson procesin e reformave në bashkëpunim të plotë me institucionet kompetente, vendore dhe ndërkombëtare.  Gjithashtu ofron informacione, jep këshilla dhe rekomandime dhe promovon proceset reformuese, duke monitoruar dinamikën e zbatimit efikas të iniciativave për reforma në administratën e shtetit. Për punën e tij i raporton Kryeministrit, për ecurinë e procesit dhe sipas nevojës i raporton qeverisë, duke ofruar informacion dhe analiza mbi dinamikat dhe progresin e proceseve reformuese.

Në vazhdën e organizimit të takimeve të nivelit të lartë për rend dhe ligj dhe shëndetësi, kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të organizojë një takim të nivelit të lartë për arsimin. Në takim të përfshihen të gjithë akterët vendimmarrës dhe të diskutohet gjendja në arsimin kosovar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)