03 Dhjetor 2022

Procesi i liberalizimit të vizave do të përfundojë gjatë Presidencës çeke

Prishtinë, 29 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavský.

Presidentja Osmani ka theksuar se Çekia është aleate e rëndësishme e vendit tonë, me të cilën ndajmë vlera themelore demokratike dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike.

Fokusi kryesor i takimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe ministrit Lipavský ishte çështja e liberalizimit të vizave.

Në vazhdë të takimeve që ka pasur Presidentja Osmani me lidershipin çek në Pragë, Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Lipavský për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe.

Ajo ka theksuar se: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Krahas temës së liberalizimit të vizave, Presidentja Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë.

Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 dhjetor 2022

- Komuna e Prishtinës do të bëjë testimin e radhës të Sistemit të Alarmit Publik me tinguj të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda. (Prishitnë, ora 12:05)

- Ndihmës administratorja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për Europë dhe Euroazi, Ambasadorja Erin E. McKee, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me akterë të ndryshëm duke përfshirë përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat, bartës të rinj të ndryshimeve etj. (Lokalet e Royal Beverages, Velekincë, Komuna e Gjilanit, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, do të mbajë tubim me vajza e gra. (Teatrin e Qytetit "Avdush Hasani", ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi do të vizitojë Qendrën e Handikos-it në Podujevë. (Objekti i Qendrës në Podujevë, ora 15:30)

- Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit do të shfaqen filma vendor dhe të huaj, ku do të ketë diskutime me me autorët pjesmarrës! (Kino Armata, ora 17:00)
 
- Mbahet ceremonia e mbylljes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit më ç'rast do të behët edhe ndarja e çmimeve. (Kino Armata, ora 19:00 )