01 Maj 2024

Prezantohet Raporti i parë publik për Monitorimin e Drejtësisë

Prishtinë, 19 tetor - Sot, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e prezantoi Raportin e tij të parë publik të Monitorimit Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë. Ky raport e mbulon periudhën prej muajit shtator 2019 deri në mes të muajit  mars 2020 dhe përfshin gjetjet nga 107 raste dhe 312 seanca të monitoruara, si dhe rekomandime specifike për autoritetet e Kosovës për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë.

Duke ju drejtuar të pranishmëve, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, i theksoi dy veçori unike të punës së Misionit në monitorimin e drejtësisë:

“Së pari, Misioni gëzon qasje të plotë në sistemet gjyqësore, prokuroriale dhe policore të dhënë nga autoritetet e Kosovës në qershor 2018, kur EULEX-i i ndërpreu funksionet e tij ekzekutive në gjyqësor. Kjo na lejon ne që ta plotësojmë monitorimin e gjykimeve të kryer së bashku me organizatat tjera ndërkombëtare dhe organizatat e specializuara të shoqërisë civile me një shqyrtim dhe vlerësim “prapa skenës” të mënyrës se si trajtohen rastet specifike para dhe pas një seance gjyqësore. Së dyti, monitorimi nga ana e Misionit përfshin të gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale, si dhe aspekte të sistemit të drejtësisë civile.”

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Selim Selimi, foli lidhur me procesin e reformave për fuqizimin e sistemit të drejtësisë: “Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit dhe procesi i llogaridhënies duke përfshirë Vetingun, janë tregues se Kosova nga reflektimi, po kalon në etapën e implementimit dhe se nuk do të rri duarkryq përballë segmenteve që cenojnë sistemin e drejtësisë. Të dy këto procese janë pjesë e reformës, përmes së cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial, për të ia rikthyer besimin qytetarëve në drejtësi. Pra, garantimi i pavarësisë dhe fuqizimi i sistemit gjyqësor e prokurorial është lufta jonë që do ta fitojmë̈.”

Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, i prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e raportit, kryesorja nga të cilat është tendenca e vazhdueshme e më pak seancave joproduktive; disa përparime të bëra në ritmin e gjykimit të rasteve të profilit të lartë dhe një rekomandim për gjykatat për të siguruar që këto gjykime të mos vonohen pa nevojë; shumë gjykime kthehen për rigjykim; mbështetje e tepërt në paraburgimin si masë sigurie, shpesh pa arsyetim të mjaftueshëm; si dhe mospërputhjet në zbatimin e parimeve të pyetjeve të tërthorta dhe shpalljen e gjykimeve. Bashkëpunimi midis policisë dhe prokurorisë duhet të përmirësohet në rastet kundër korrupsionit dhe dhunës në baza gjinore. Për më tepër, duhet të ketë një strategji afatgjate për t’i zgjidhur rastet e grumbulluara civile të lidhura me privatizimin në Dhomën e Posaçme të Gjykatës së Lartë dhe duhet të ndërmerren hapa për ta adresuar zgjatjen e tepruar të procedurave civile në lidhje me pronën dhe shtyrjet e shumta nga të cilat po vuajnë këto raste.

Pas prezantimit të raportit, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tha: “Raporti i EULEX-it për monitorimin e rasteve gjyqësore, është cilësuar si raport i cili kontribuon në zhvillimin dhe avancimin e sistemit gjyqësor si dhe rritjen e efikasitetit të tij.”

Duke u fokusuar në rekomandimet e raportit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha: “Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson punën e bërë në finalizimin e Raportit të monitorimit të sistemit të drejtësisë, rekomandimet e dala do të adresohen, ndërsa për një pjesë të tyre veç se ka progres në realizim.”

Drejtori i Drejtorisë për Hetime të Policisë së Kosovës, Riza Shillova, tha: “Policia e Kosovës e mirëpret jashtëzakonisht shumë këtë raport. Mendojmë se është raport shumë i veçantë pasi që adreson të gjeturat dhe rekomandimet e sistemit të drejtësisë në mënyrë zingjirore, pra duke filluar nga policia, prokuroria dhe gjyqësori. Në mesin e shumë prioriteteve, trajtimi i dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje do të jetë prioritet për ne.”

Ky takim u mbajt në Selinë e EULEX-it në Prishtinë dhe mblodhi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për sundimin e ligjit, mediave dhe organizatave ndërkombëtare aktive në fushën e drejtësisë, të cilët patën mundësinë që të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)