11 Gusht 2022

Presidentja Osmani takoi kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha

Prishtinë, 24 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin fokusi i bisedës ishte forcimi i marrëdhënieve ndërshtetërore.

Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin e Tajlandës për mbështetjen e këtij shteti ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në takim me Kryeministrin e Tajlandës, Presidentja ka theksuar se Kosova e sheh këtë shtet si aleat në këtë pjesë të botës, ndaj është e interesuar që edhe me ndihmën e saj të ndërtojë marrëdhënie miqësore me shtetet e Azisë Juglindore.

Presidentja Osmani në këtë takim ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur popullsinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor shtetëror.

Për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, Presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)