03 Dhjetor 2022

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i Francës, Olivier Guérot

Prishtinë, 29 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës franceze në Kosovë, Olivier Guérot, të cilit i ka uruar mirëseardhje.

Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Francës që pas bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës erdhi në përfundim të përkrahjes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë intensifikimin e raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës, për të cilat ka shfaqur besim që do të vazhdojnë të thellohen edhe gjatë mandatit të ambasadorit Guérot.

Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë. Presidentja ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në vijë të njëjtë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, duke shprehur se institucionet tona vazhdojnë të jenë plotësisht të përkushtuara në rrugëtimin euroatlantik.

Tutje, Presidentja Osmani ka potencuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, duke theksuar se vendi ynë është mishërim i vlerave, të cilat i përfaqëson ky institucion.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 dhjetor 2022

- Komuna e Prishtinës do të bëjë testimin e radhës të Sistemit të Alarmit Publik me tinguj të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda. (Prishitnë, ora 12:05)

- Ndihmës administratorja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për Europë dhe Euroazi, Ambasadorja Erin E. McKee, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me akterë të ndryshëm duke përfshirë përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat, bartës të rinj të ndryshimeve etj. (Lokalet e Royal Beverages, Velekincë, Komuna e Gjilanit, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, do të mbajë tubim me vajza e gra. (Teatrin e Qytetit "Avdush Hasani", ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi do të vizitojë Qendrën e Handikos-it në Podujevë. (Objekti i Qendrës në Podujevë, ora 15:30)

- Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit do të shfaqen filma vendor dhe të huaj, ku do të ketë diskutime me me autorët pjesmarrës! (Kino Armata, ora 17:00)
 
- Mbahet ceremonia e mbylljes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit më ç'rast do të behët edhe ndarja e çmimeve. (Kino Armata, ora 19:00 )