26 Prill 2024

Përcaktohet rendi i ditës për seancat e 4 dhe 10 qershorit

Prishtinë, 1 qershor - Kryesia e  Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të  cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seancat e radhës të Kuvendit të Kosovës të mbahen më 4 dhe 10 qershor të këtij viti.

Pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pas shterimit të pikës së zakonshme të rendit të ditës së seancave të rregullta të Kuvendit - pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës- në seancën 4 qershorit do të shqyrtohen për herë të parë tri projektligje, përkatësisht:

Projektligji i Punës, Projektligji për komponentin rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndërsa për herë të dytë do të shqyrtohen këto projektligje: Projektligji për hetim parlamentar dhe Projektligji për Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, do të rishqyrtohet Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.

Në mbledhjen e 10 qershorit do të shqyrtohen për herë të dytë katër projektligje: Projektligji për Kryqin e Kuq të Kosovës, Projektligji për përdorimin dhe mbrojtjen e emblemës së Kryqit të Kuq, emblemave tjera dalluese dhe sinjaleve,  Projektligji për përcaktimin e të drejtave dhe mbrojtjen e topografisë së qarqeve të integruara, si dhe Projektligji për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik. Në këtë seancë do të shqyrtohen edhe Raporti financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2009 dhe Raporti i punës së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2009.

Në vazhdim të mbledhjes Kryesia shqyrtoi edhe disa raporte, rekomandime e kërkesa, si: Raportin e punës së Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për vitin 2009, Raportin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2009, Raportin e punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2009, Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për anëtarë të Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për lejimin e stafit shtesë për themelimin e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore për pesë pozita të reja dhe Propozimin e Qeverisë së Kosovës për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit, duke angazhuar komisionet përkatëse të Kuvendit  për shqyrtim të këtyre raporteve e propozim-vendimeve, me qëllim të  procedimit të mëtejmë të tyre në  Kuvend. U përkrah edhe kërkesa Komisionit për Integrime Evropiane për dërgimin e raporteve nga ana e komisioneve tjera parlamentare, në përmbushjen e sfidave lidhur me planin e veprimit të Kuvendit të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)