06 Tetor 2022

Osmani e Gërvalla takuan sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg

Prishtinë, 22 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe zv.kryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz, njëherësh ministre e Jashtme dhe e Diasporës, gjatë vizitës në New York, takuan sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg.

Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me sekretarin Stoltenberg. Sipas Presidentes Osmani qëllimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në komunitetin euroatlantik.

Presidentja Osmani në takim me shefin e NATO-s, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe e cilësoi anëtarësimin në këtë organizatë, prioritet shtetëror të Kosovës, si një parakusht për sigurimin e paqes në rajon, ashtu edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se këtij hapi duhet t`i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Në këtë kontekst, e përmendi faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t'ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani tha se  Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e bashkërendimit të shteteve demokratike në rajon me NATO-n për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të ndaluar veprimet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)