27 Prill 2024

Miqësia mes Kosovës dhe Malit të Zi do të jetë shembull për rajonin

Prishtinë, 14 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq, me të cilin bisedoi për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet dy shteteve si dhe për zhvillimet aktuale politike në rajon.

Pas pritjes me nderime shtetërore nga Kryeministri Haradinaj, të dy kryeministrat zhvilluan një takim, ku të pranishëm ishin një pjesë e kabinetit qeveritar të dy shteteve, përveç tjerash u theksua roli bashkëpunues dhe perspektiva euroatlantike e Republikës së Kosovës dhe e Malit të Zi.

Të dy kryeministrat theksuan gatishmërinë që marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore të vazhdojnë edhe në të ardhmen për perspektivën euroatlantike dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të të dy vendeve.

Po ashtu kryeministrat u zotuan se do të gjendet një zgjidhje e shpejt dhe e përshtatshme për çështjen e demarkacionit.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj dhe kryeministri Markoviq, mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministrit Haradinaj tha se kjo vizitë dëshmon se populli i Malit të Zi dhe populli i Kosovës, janë jo vetëm fqinj, por janë popuj që e duan njëri-tjetrin dhe që dëshirojnë të rrugëtojnë bashkë në perspektivën evropiane dhe euroatlantike.

"Këto marrëdhënie të mira që tanimë i konfirmon kjo vizitë dhe të gjitha zhvillimet e ndërsjella ndërmjet dy vendeve në periudhën që vjen, jam thellë i bindur që do të jenë shembull i mirë për marrëdhëniet ndërmjet të gjithë neve në rajon", theksoi Haradinaj.


Nderkaq kryeministri Markoviq në konferencë tha se në emër të Qeverisë së Malit të Zi të konfirmoj fuqimisht miqësinë ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe dedikimin tonë që tash marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe bilaterale t’i avancojmë në të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe Malit të Zi. 

Mali i Zi, si anëtar i NATO-s dhe një shtet që ka avancuar mjaftë në negociatat me BE-në, dëshiron që t’i ndajë eksperiencat dhe kjo eksperiencë sipas tij t’i kontribuojë një zhvillimi më të shpejtë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. 

"Gjithashtu, dëshirojmë që me Kosovën të zhvillojmë edhe bashkëpunimin e mirë ekonomik dhe për këtë biseduam sot në takim, me kryeministrin Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij, që marrëdhëniet e mira ndërshtetërore dhe fqinjësore, t’i zhvillojmë edhe me një bashkëpunim të mirë ekonomik të të dyja vendeve, sepse qytetarët e tanë meritojnë të jetojnë më mirë."

"Edhe Kosova edhe Mali i Zi kanë resurse të pamohueshme zhvillimore, andaj jemi të gatshëm që të bëjmë çdo gjë që potencialet tona t’i vendosim në funksion të zhvillimit të vendeve tona dhe të cilësisë së jetës së qytetarëve", theksoi kryeministri Markoviq .

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)