29 Nëntor 2020

Ministrja Haradinaj-Stublla udhëton për vizitë zyrtare në Kroaci

Prishtinë, 22 nëntor - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Haradinaj-Stublla, do të realizojë takime të nivelit të lartë, në të cilat do të diskutohet për intensifikimin e bashkëpunimit dhe lidhjes së fortë që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Takimin e parë zyrtar, bashkë me Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kosovës,Besnik Tahiri, shefja e diplomacisë kosovare do ta ketë me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkovic.

Pas këtij takimi, Ministrja Haradinaj-Stublla, do të pritet në një takim të veçantë nga Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Grlić Radman.

Para nisjes për vizitë zyrtare në Kroaci, ministrja Haradinaj-Stublla, bëri këtë deklaratë:

“Kroacia dhe Kosova ndajnë historinë e hidhur të rrugëtimit për liri dhe pavarësi. Kanë pasur përjetime të njëjta si vende dhe popuj.''

''Edhe sot, përderisa Kosova po përballet me qasje revizioniste të vuajtjeve dhe historisë së saj, ka shumëçka për të mësuar nga Kroacia si vend dhe popull fitimtar ndaj luftës në Ish-Jugosllavi, e tash si shembull i mirë në rajon për integrimin Euro-Atlantik”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 Nëntor 2020

- Komisioni Qendror Zgjedhor mban konferencën e parë për media lidhur me hapjen e vendvotimeve. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 8:00)

- Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Podujevës Naim Fetahu, do të votojë në shkollen fillore “Esat Mekuli”. (Fshati Dobratin në Podujevë, ora 10:00)

- Komisioni Qendror Zgjedhor mban konferencën e dytë për media lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 11:00. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 11:30)

- Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Podujevë, mban sot konferencë për media. (Sheshi i qytetit, para shtatoreve të katër heronjëve, ora 12:00)

- Komisioni Qendror Zgjedhor mban konferencën e tretë për media lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 15:00. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 15:30)

- Komisioni Qendror Zgjedhor mban konferencën e katertë për media lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 19:00. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 19:30)