05 Korrik 2020

Me 27 maj Kuvendi shqyrton për herë të parë 5 projektligje

Prishtinë, 18 maj -  Kryesia e  Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin  pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare ka vendosur që seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 27 maj, duke e përcaktuar edhe rendin e ditës për të.

Duke filluar nga kjo seancë, tash e tutje, konform Rregullores së re të Kuvendit, tridhjetë minutat e parë të seancave të rregullta do tu kushtohen deklaratave të shefave të grupeve parlamentare dhe të deputetëve për çështje të ndryshme që i ngritin, kurse gjashtëdhjetë minutat në vazhdim rezervohen për pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë seancë parashihet që të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit (nr.03/L-044) për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, Projektligji për riatdhesim, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit (nr.02/L-123)  për shoqëritë tregtare, Projektligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligji për mbrojtjen e natyrës.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen edhe Raporti i punës së Komisionit për Ndihmë Juridike, për vitin 2009, Raporti i punës së Komisionit për Komisionit Kosovar të Konkurrencës, për vitin 2009, si dhe propozimi i Komisionit të Pavarur për Media për emërimin e dy anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg  mocionesh, rekomandimesh dhe kërkesash të grupeve parlamentare, të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve të ndryshëm. Kështu Kryesia ka ngarkuar Komisionin për Administratë publike, Pushtet Lokal dhe Media, si dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike që ta shqyrtojnë Raportin e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Pasqyrat financiare dhe Raportin e auditorëve të pavarur për vitin 2009 dhe Kuvendit t’i paraqesin raportin me rekomandime 

Duke e shqyrtuar Raportin e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për pasqyrat e audituara për vitin 2009, Kryesia ka ngarkuar Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike që ta shqyrtojë çështjen dhe Kuvendit t’i paraqesin raportin me rekomandime.

Anëtarët e Kryesisë kanë shqyrtuar sot edhe Rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa për shpenzimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2009.

Kryesia është pajtuar me Raportin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2008 dhe 2009. Ndaj për shkak të numrit të pamjaftueshëm të ofertuesve të përgjegjshëm të anulohen aktivitetet për prokurimin për përzgjedhje të auditorit të jashtëm, Kryesia e ka autorizuar Administratën e Kuvendit që në afatin ligjor të rishpallë ftesën për tender. 

Kryesia ka shqyrtuar edhe ftesa të ndryshme për vizita të deputetëve të Kosovës jashtë vendit, si dhe është njoftuar me ndërrimin e anëtarëve të komisioneve, nga radhët e tri grupeve parlamentare, me të cilat ndryshime do të njoftohet edhe seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Korrik 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi Inspekton investimet në fushën e futbollit në fshatin Novosellë të Pejës. (Fshati Novosellë, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim drejtuesit e institucioneve shëndetësore. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton shpellën “Bukuroshja e Fjetun”, promovim i turizmit kulturor. (Pejë, ora 13:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Garën ndërkombëtare e automobilizimit “Kulla 2020”. (Pejë, ora 15:30)