01 Maj 2024

Më 26 shkurt Kosova e Serbia do të bisedojnë për zbatimin e marrëveshjeve

Prishtinë, 20 shkurt - Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, nën kryesimin e  kryetares Vjosa  Osmani, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar shefi i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi.

Në hapje të mbledhjes, kryetarja e Komisionit Osmani, vuri në dukje rëndësinë e  takimeve të tilla,  me qëllim të transparencës sa më të madhe rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë me dialogun.

Ajo vlerësoi se takimet si ky i sotmi, duhet të realizohen para çdo takimi të delegacionit tonë me palën serbe, në mënyrë që komisioni të jetë paraprakisht i informuar me temat që do të diskutohen në Bruksel.

Duke folur për platformën e bisedimeve që do të vijojë në Bruksel ndërmjet delegacionit tonë dhe atij serb,  shefi i delegacionit kosovar Arifi, ndërkaq, bëri të ditur se në takimin e radhës (i cili pritet të mbahet më 26 shkurt) nuk do të bisedohet për marrëveshje të reja.

Me këtë rast, ai bëri të ditur se në këtë takim do të bisedohet për mënyrën e implementimit të marrëveshjeve të arritura gjer më tani, dhe për këtë ftoi përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, që t’i bashkëngjiten delegacionit të bisedimeve.

Ai vlerësoi se një gjithë përfshirje më e madhe do të ishte shumë pozitive dhe do t’i kontribuonte një dialogu cilësor me më shumë transparencë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve që ngritën anëtarët e komisionit, Arifi me këtë rast i siguroi ata se marrëveshjet e arritura janë në harmoni të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Ai po ashtu sqaroi se, dialogu teknik i paraprinë marrëveshjes përfundimtare, e cila ka për qëllim njohjen reciproke ndërmjet të dyja vendeve.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)