05 Korrik 2020

LDK vendos sot për zgjedhjet e partisë

Prishtinë, 5 qershor - Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të rregullta brendapartiake, sot mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së për të marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve partiake.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, do të debatojë për raportin përfundimtar për Zgjedhjet Lokale 2009 dhe për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në LDK, të cilat pritet të zhvillohen në muajt shtator dhe tetor të këtij viti, ndërsa nuk dihet ende se a do të debatohet rreth qëndrimit të Isa Mustafës për prishjen e koalicionit të LDK-së me PDK-në.

Në vendimin e mëhershëm të Kryesisë së LDK-së për caktimin e kësaj mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për 5 qershor, është përcaktuar edhe rendi i ditës dhe nga ky rend i ditës, nëse Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së nuk e ndryshon, nuk parashihet të diskutohet qëndrimi i Isa Mustafës për prishjen e koalicionit të LDK-së me PDK-në, për çka ekziston një interesim i madh i opinionit, sidomos i gazetarëve.

Pra ende nuk dihet a do të diskutohet ky qëndrim i Isa Mustafës edhe pse shumica e degëve dhe e anëtarëve të Këshillit janë në mbështetje të Mustafës. Gjithashtu nuk dihet nëse kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, do ta ngrejë vetë këtë çështje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, edhe pse dihet se ai ka vazhduar edhe më tej ta mbajë qëndrimin se LDK-ja duhet të dalë nga koalicioni qeverisës me PDK-në.

Ajo që dihet për këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, e cila pritet me interesim, është se do t’i kushtohet përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të rregullta brendapartiake dhe miratimit të vendimit për shpalljen e këtyre zgjedhjeve.

Sipas debateve paraprake brenda partisë, zgjedhjet e përgjithshme në LDK pritet të fillojnë nga mesi i shtator dhe do të zgjasin deri në nëntor. Zgjedhjet në LDK do të mbahen në të gjitha nivelet, ndërkaq Kuvendi Zgjedhor sipas të gjitha gjasave duhet të mbahet në dhjetor, pasi të jetë rrumbullakuar i tërë procesi zgjedhor brendpartiak.

Në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së pritet të formohen grupet përgatitore për zgjedhje. Më herët Kryesia e partisë kishte propozuar formimin e katër grupeve punuese: grupi për platformë politike për zgjedhjet në LDK; grupi që do të merret me ndryshimet eventuale në statutin e partisë; grupi që do të hartojë programin për zhvillimin e LDK së dhe grupi që do të hartojë projektin qeverisës të LDK së


Zgjedhjet në këtë subjekt politik pritet të fillojnë nga mesi i shtatorit dhe do të zgjasin deri në nëntor.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Korrik 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi Inspekton investimet në fushën e futbollit në fshatin Novosellë të Pejës. (Fshati Novosellë, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim drejtuesit e institucioneve shëndetësore. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton shpellën “Bukuroshja e Fjetun”, promovim i turizmit kulturor. (Pejë, ora 13:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Garën ndërkombëtare e automobilizimit “Kulla 2020”. (Pejë, ora 15:30)