13 Gusht 2020

Kuvendi të iniciojë ndryshimet për të mundësuar zhvillimin e punimeve ‘online

Prishtinë, 8 korrik - Janë bërë më shumë se dhjetë ditë që kur Kuvendi ka pezulluar punimet për shkak të infektimit me koronavirus të disa prej deputetëve dhe stafit të administratës së Kuvendit.

Në mungesë të testimit, vazhdimi i punimeve brenda ambienteve të Kuvendit bartë rrezik të lartë të shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit.

 Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) konsideron se nevoja për ndërmarrjen e masave specifike, qoftë të distancës fizike apo dhe të vetizolimit, për parandalimin e shpërndarjes së të njëjtit kërkojnë zbatimin e formave të reja të operimit për garantimin e funksionimit të institucionit të Kuvendit. Kjo duhet të ndodh për aq kohë sa ekziston rreziku nga pandemia.

Ndërprerja e punimeve të Kuvendit është duke i pamundësuar këtij institucioni ushtrimin e kompetencave kushtetuese në raport me procesin ligjvënës, mbikëqyrës ndaj pushtetit ekzekutiv, si dhe të përfaqësimit të interesave të qytetarëve.

Prandaj KDI thekson se është mëse e nevojshme që Kuvendi i Kosovës  të ndërmarr nismën për ndryshimin e Rregullores së punës dhe integrimin e mundësisë së operimit të këtij institucioni në format edhe në distancë (online), duke garantuar ruajtjen e shëndetit publik dhe zbatimin e mandatit kushtetues në trajtimin e çështjeve ekonomike e politike me interes për qytetarët.

Në gjithë botën, parlamentet janë përpjekur që t’i përshtaten këtyre rrethanave të jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia në mënyrë që të përmbushin funksionet e tyre kryesore.

Parlamenti Evropian ka integruar rregulla të reja brenda Rregullores së punës me anë të së cilave ka paraparë zhvillimin e punimeve në distancë të komisioneve dhe seancave parlamentare. Për më tepër, deputetëve iu është ofruar mundësia e përzgjedhjes së formës së pjesëmarrjes në seancë, qoftë fizikisht apo nga distanca.

Bundestagu gjerman ka ndërmarrë nismë të ngjashme me ndryshimin e përkohësisht të Rregullores së Punës për t’iu përshtatur situatës së krijuar nga pandemia.

Për mbledhjet e komisioneve parlamentare, pjesëmarrja në distancë e deputetëve është lejuar deri në fund të muajit shtator. Në të njëjtën kohë është vendosur edhe rregulli i përkohshëm për uljen e kuorumit në 25 % +1 të deputetëve në komisionet parlamentare dhe seanca plenare.

Gjithashtu edhe parlamentet e vendeve të rajonit përfshirë atë të Kroacisë dhe të Shqipërisë kanë ndryshuar Rregulloret e tyre të punës duke lejuar punën në distancë, për tu përshtatur me kushtet e krijuara nga  pandemia.

Në rastin e Kroacisë, Kryesia e Kuvendit ka miratuar disa udhëzime që e mundësojnë punën në formë virtuale, të cilat janë të parapara të mbesin në fuqi deri në përfundimin e pandemisë.

Në anën tjetër, Kuvendi i Shqipërisë ka amendamentuar Rregulloren e Punës, duke lejuar zhvillimin e punimeve dhe votimin nëpërmjet platformave virtuale, por duke siguruar autenticitetin e përdoruesve, përkatësisht deputetëve.

"Kuvendi i Kosovës, duke qenë se ballafaqohet me problematikë të njëjtë, duhet të ndjekë praktikat e mira parlamentare të vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit. Kuvendi duhet të ndërmarr nismën përmes së cilës do të inicohen ndryshimet e nevojshme në Rregulloren e Punës, për të cilën kërkohen votat e 2/3  të të gjithë deputetëve", vlereson KDI.

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 Gusht 2020  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raportin me amendamente në Projektligjin nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)  
    
- Kuvendi i Kosovës mban seancën e radhës ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës: shqyrtimi i parë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike etj. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)   

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” bëjnë publikimin e raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve të Kosovës”. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, ora 10:00)    

- Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, viziton komunën e Pejës ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri. (Ndërtesa e Komunës, Pejë, ora 10:00)    

- Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me zhongluesin e mirënjohur nga Vitia, Agim Agushin, do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i Komunës, Mitrovicë, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ‘ka diçka me thanë’. (Zyra e kryetarit te Gjilanit, ora 12:00)