06 Shkurt 2023

Kuvendi nënshkruan Memorandum me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”

Prishtinë, 21 nëntor - Kuvendi i Republikës së Kosovës nënshkroi sot Memorandum Mirëkuptimi me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”, për bashkëpunim për krijimin dhe hartimin e një strategjie mbarëkombëtare.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Elmi Berisha.

Kryetari Konjufca me këtë rast tha se Federata Pan-Shqiptare Vatra ka lënë gjurmë në shtetndërtimin e Kosovës, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm për pavarësinë e Kosovës dhe për gjithçka që ka qenë e mirë dhe e nevojshme për bërjen e shtetit.

Konjufca shtoi se dyert e Kuvendit gjithnjë do të jenë të hapura për këtë Federatë dhe inkurajon që të vazhdojë njëjtë me punën e saj sikur deri më tani.

Ndërsa kryetari i Federatës “Vatra”, Elmi Berisha, tha se tash është koha më e mirë që të kanalizohen energjitë tona, intelektuale dhe lobuese, në mënyrë që të formalizohet njohja reciproke me Serbinë.

Sipas tij, kjo energji duhet të përdoret nga shqiptarët me të gjitha institucionet e tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes këtij memorandumi Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Federata “Vatra” zotohen se do të bashkëpunojnë në aktivitete, duke pasur parasysh pikat e interesit të përbashkët.

Kuvendi do të mbështes aktivitetet e kësaj Federate dhe promovimin e tyre, ndërsa Federata “Vatra”, sipas nevojës do të ofrojë mbështetje për Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës, me qëllim rakordimin e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe lobimit në favor të Kosovës.

Sipas Memorandumit po ashtu Federata Pan-Shqiptare “Vatra” do të shërbejë si promovuese dhe garantuese e hapësirave dhe mundësive që ofron ekonomia dhe tregu i Republikës së Kosovës për komunitetet shqiptaro-amerikane të biznesit në Amerikë, ndërsa Kuvendi i Kosovës dakordohet të bashkëpunojë në fushën e sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, ekonomisë dhe biznesit, si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët, gjithmonë duke pasur primare interesat kombëtare dhe ndërkombëtare në bashkëpunim me politikën e SHBA-ve dhe BE-së.  â€‹

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)