10 Gusht 2020

Kuvendi dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

Prishtinë, 2 korrik - Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi, për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovës, Nicholas Abbot.

Kryetarja Osmani tha pas nënshkrimit se ky memorandum është vullnet i dyanshëm në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, që ka për synim rritjen e transparencës në përzgjedhjen e personave në pozitat udhëheqëse në borde dhe agjenci të pavarura.

“Pozita e parapara janë në përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës ku trupat e tyre udhëheqëse dhe menaxheriale zgjidhen nga Kuvendi dhe disa që iniciohen nga Qeveria, por që lista finale votohet në Kuvendin e Kosovës”, tha Osmani. 

Sipas saj, profesionistët duhet të përzgjidhen në bazë të meritokracisë.

“Kuvendi vërtet përbëhet nga politikanë, mirëpo politikanët që betimin e tyre, ditën e zgjedhjes, e kanë dhënë duke thënë se do të punojnë në interes të Republikës dhe qytetarëve, duhet ta dinë se kjo Republikë dhe qytetarët që jetojnë në të, asnjëherë nuk do të arrijnë mirëqenien e duhur, në qoftë se shkelen parimet e meritokracisë dhe transparencës. Duhet që këtë premtim që e kemi dhënë ta realizojmë”, tha kryetarja Osmani.

Ndërkaq ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot tha se me këtë mënyrë ka pasur procese të suksesshme rekrutuese.

Ai u bëri thirrje profesionistëve të aplikojnë dhe të kontribuojnë në udhëheqjen e institucioneve.

“Nuk mund të zgjidhen nga jashtë por vetëm me vullnet politik dhe me punë profesionale. Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është ndërmarrje e lehtë por parakusht për zhvillimin. Projekti ju ofron mbështetje por emërimet u takojnë institucioneve në pajtim të plotë me legjislacion në fuqi”, tha Abbott. ​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .