26 Maj 2020

Kurti do të bisedojë me Thaçin vetëm për kohën e shpërndarjes së kuvendit

Prishtinë, 1 prill - Sot, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër presidenti Thaçi për temat që do të diskutohen gjatë takimit të sotëm me të.

Kryeministri Kurti, përmes letres qe i ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet ftesës së tij për konsultime në lidhje me krijimin e qeverisë së re.

Megjithatë, Kurti, në këtë letër, ka thënë se do të bisedojë me presidentin vetëm për kohën më të përshtatshme të shpërndarjes së kuvendit.

“Me shumë kënaqësi do të takohem me ju për të folur për hapat e mëtejmë sipas Kushtetutës, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Po ashtu, konsideroj se zotimi juaj se do t’i ndërmerrni këta hapa është shenjë pozitive për Kosovën. Shpresoj shumë se gjatë ditëve në vijim do t’i qëndroni besnik këtij zotimi. Si kurrë më parë, Kosova ka nevojë për një president që respekton Kushtetutën deri në çdo pikë e presje të saj”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar presidentit Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar ftesë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të takohen më 1 prill për t’u konsultuar lidhur me hapat që do të ndërmerren pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Thaçi ka paralajmëruar se do të takohet me liderët politikë për të gjetur zgjidhje pas rrëzimit të qeverisë. Presidenti ka shprehur besimin e tij se Kosovës i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse.

Por, Kurti e ka kundërshtuar idenë që të krijohet qeveria pa u mbajtur zgjedhjet.

Ai është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Maj 2020 - Komisioni për Integrim Evropian diskuton lidhur me përmbushjen e obligimeve të Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave dhe shqyrton raportin e Ministrisë së Integrimit Evropian lidhur me financimin e Kosovës nga BE-ja, në luftimin e COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, N303, ora 11:00)  

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi. (Ndërtesa e Kuvendit, N302, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike shqyrton Raportin Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Presidenti i vendit, Hashim Thaçi,  do ta vizitojë Oden Ekonomike të Kosovës. (Lokalet e OEK-ut, ora 11:30)

 - Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë e zbulimit të lapidarit të dëshmorit Luan Qerimaj dhe 4 dëshmorëve tjerë, në Gllogjan. (Te vendi i quajtur Lejthia, Gllogjan, Deçan, ora 11:30)

- Instituti Demokraci për Zhvillim Sfidat dhe nevojat e nënave vetë-ushqyese në kohë (pas)pandemie”  (Përmes platformës online, Google Meet, ora 17:00 - https://forms.gle/HAxFHsHEScpDdMx99)