15 Tetor 2019

KQZ: Prin Vetëvendosje me 26 për qind, Vetëvendosje shpall fitoren

Prishtinë, 7 tetor - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është bashkuar festës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas rezultateve të para zgjedhore, të cilat tregojnë se kjo parti ka fituar 26 për qind të votave.

Kurti i cili është edhe kandidat i VV-së për kryeministër, ka thënë se me fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit, megjithëse numërimi ende nuk ka mbaruar, në Kosovë po hapet kapitull i ri.

Sipas tij, populli duke e votuar Vetëvendosjen ka votuar kundër kapjes së shtetit. E ka quajtur 6 tetorin si entuziazmin e tretë në Kosovë.

“6 tetori i vitit 2019 e shënon fillimin e entuziazmit të tretë në vendin tonë e për popullin tonë. Entuziazmi i parë ishte ai i çlirimit të vitit 1999, i dyti ishte ai i shpalljes së pavarësisë më 2008 e tash tetori 2019 është entuziazmi i tretë."

"Është vala e re që do ta forcojë republikën tonë e do t’i japë hov zhvillimit e barazisë për të gjithë juve. Ju sot keni votuar për ta shpëtuar shtetin tonë nga kapja e që s’lejuan që drama e kapjes të ketë fund tragjik."

 "Hapim kapitull të ri me faqe të bardhë e zemër të ngrohtë. Në qeverisjen tonë, s’ka hajna. Hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen e dënohen kudo që janë”, ka thënë ai në festën e VV-së në shesh.

Ai ka thënë Kosova ka humbur shumë në 20 vjet, ndërsa tani “erdhi dita”.

“Jeta e ndershme do të jetë e kollajshme, jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë deri në humbje të lirisë. Ne kemi humbur shumë kohë në këto 20 vjet. Sa mundësitë ishin të shpërdoruara. Sa shanset e shkuara huq, por tash erdhi dita për ju qytetarë të Kosovës. erdhi dita për ju popull i dashur pa dallim a jeni nga fshati a qyteti, burrë a grua, të gjithë jeni të barabartë para ligjit e do të fitoni shansin të jetoni ndershëm e me meritë nga puna juaj. S’do të ketë njerëz që pasurohen as brenda natës as brenda javës. Premtimet tona do t’i përmbushim. Zotimet tona do t’i përmbushim sepse do t’u shërbejnë juve”, ka shtuar ai.

Në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë shumë aktivistë dhe qytetarë të Prishtinës.

ëto janë rezultatet e zgjedhjeve, me mbi 90 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve:

Lëvizja Vetëvendosje 25.82 për qind

Lidhja Demokratike e Kosovës 24.95 për qind

Partia Demokratike të Kosovës 21.26 për qind

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate 11.55 për qind

Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 4.94 për qind.

Lista Serbe 6.38 për qind.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 tetor 2019

- Fillon procesi i numërimit të votave përmes postës. (Qendra e Numërimit dhe Rezultateve,  ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit bën prezantimin e studimeve të radhës brenda serisë së studimeve rreth fazes finale të dialogut Kosovë-Serbi. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:15)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shënon Ditën Botërore të Standardeve. (Hotel Emerald, ora 10:30)

- Green Art Center organizon aktivitet në komunën e Vushtrrisë i cili synon të sensibilizojë qytetarët dhe të ndikojë në edukimin e brezave të rinj për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit”. (Sheshin e qytetit “Hasan Prishtina” në Vushtrri, ora 12:00)

- Në kuadër të promovimit të romanit “Elefantët në kopsht” të autores Kureyshi Qendra Multimedia organizon bisedën e hapur të autores zvicerane Meral Kureyshi me gazetarin Enver Robelli. (Qendra Multimedia, rr. 'Idriz Gjilani' në Prishtinë, ora 19:00)