26 Prill 2024

KQZ: Pjesëmarrje me e ulët në zgjedhjet e 9 janarit

Prishtinë, 10 janar - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton për pjesëmarrje më të ulët në votimet e nëntë janarit, në krahasim me zgjedhjet e rregullta më 12 dhjetor.

Për dallim nga 12 dhjetori kur në Komunën e Skënderajt pjesëmarrja e qytetarëve ishte 93.68, të dielën në rivotim pjesëmarrja është 61.60. Po kështu edhe në Drenas përqindja e pjesëmarrjes së votuesve këtë herë është 58.68, ndërkaq që me 12 dhjetor 86.94.

KQZ-ja në konferencën e fundit për media raportoi edhe për disa parregullsi të cilat sipas saj nuk e dëmtojnë proçesin zgjedhor.

Por në fakt situata në terren nuk shkoi edhe aq mirë sa pritej. Votimet e dyfishta, votimet familjare si dhe ndërprerja e energjisë në disa qendra votimi në orët e pasdites e karakterizuan proçesin zgjedhor në Skënderaj dhe Drenas.

Parregullsitë nisën në fshatin Kopilic të Ulët në orët e para të paradites. Në këtë qendër votimi vëzhguesit e Vetëvendosje u penguan të jenë pjesë e proçesit zgjedhor, ndërsa më vonë ata bojkotuan tërësisht këtë qendër, për shkak të siç thanë deri në orën nëntë në mëngjes janë mbushur gjysma e kutive të votimit.

Lëvizja “Vetëvendosje” denoncoi në media parregullsi edhe në qendrat e votimit si Izbicë, Prekaz i Epërm, Turiqevc dhe Runik. Në këtë të fundit “Vetëvendosje” u ankua se vëzhguesit e saj po mbahen peng nga menaxheret e qendrës nga radhët e PDK-së.

Top Channel vizitoi fshatin Izbicë ku përveçse energjia elektrike ishte shumë e dobët, vëzhguesit e “Vetëvendosjes” tashmë ishin larguar. Sidoqoftë nga menaxheri i qendrës proçesi shpjegohet si i rregullt.

Edhe demokracia në veprim ka raportuar një sërë parregullsish në disa qendra votimi. Në fshatin Olaç i Ri një person kishte asistuar 40 persona për të votuar, ndërkaq që ndërprerja e energjisë në orët e pasdites është një tjetër parregullsi që ka karakterizuar këtë proçes zgjedhor.

Skënderaj dhe Drenasi janë dy komuna, bastione të PDK-së dhe kjo ndoshta shtonte interesimin e njerëzve që t’i përgjigjeshin masivisht votimeve të nëntë janarit. Fluksi i njerëzve nga ora në orë shtohej çka bënte që radhët nëpër vendvotime të jenë të gjata.

Përgjegjësinë më të madhe për mbarvajtjen e këtij proçesi zgjedhor e kanë komisionerët e partive politike. Ata herën e fundit u kritikuan madje edhe nga presidenti në detyrë se në Skenderaj dhe Drenas lejuan manipulimin e votave.

Zgjedhjet e nëntë janarit janë vëzhguar nga qindra vëzhgues ndërkombëtar dhe vendas. Si vëzhgues më të veçantë konsiderohen përfaqësuesit diplomatik në mesin e tyre ambasadori gjerman, ai italian dhe ambasadori amerikan Christopher Dell e po kështu edhe përfaqësuesi i zyrës civile ndërkombëtare Pieter Faith.

“Unë e vizitova këtë qendër votimi dhe kam vizituar edhe në komuna tjera. Gjërat po shkojnë mjaft mirë, atmosfera është pozitive dhe punët po shkojnë në rregull. Megjithatë dita është shumë e gjatë, kështu që ne do të përmbahemi nga gjykimet sa i përket cilësisë së votimeve deri në rezultatet e fundit që do t’i marrim. Unë jam siguruar që të ketë numër të mjaftueshëm të vëzhguesve dhe mediave, në mënyrë që mos të ketë parregullsi tjera në këto komuna”, ka thënë ai.

“Porosia ime është që nuk do të tolerojmë ndonjë parregullsi ose mashtrim në qendrat e votimit sot dhe nesër”, është shprehur Feith.

“Aq sa kam pasur mundësi të shoh, proçesi deri më tani ka kaluar shumë në rregull. Këtë herë organizimi është bërë më mirë dhe vërehet kontrolli më i madh nëpër qendrat e votimit. Padyshim se edhe krahasuar me herën e kaluar”, tha Dell.

Pavarësisht se KQZ-ja nuk ka dalë me rezultatet paraprake, PDK-ja tashmë ka shpallur fitoren në Skënderaj dhe Drenas dhe shumë qytetarë me t’u mbyllur qendrat e votimit kanë dalë për të festuar në sheshin kryesor të Skënderajt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)