25 Qershor 2018

Kosova mund ta zgjedhë të ardhmen e vetë, SHBA e përkushtuar ta mbështesë

Prishtinë, 12 mars - Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi ka inkurajuar presidentin dhe institucionet e Kosovës që ta vazhdojnë dialogun me Serbinë për normalizimin e raporteve.

Ndërkaq ai ka bërë thirrje që të zgjidhet sa më shpejt edhe çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet heqja e regjimit të vizave.

“Vetëm Kosova mund ta zgjedhë të ardhmen e vetë, ndërkohë që SHBA-ja ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar ta mbështesë Kosovën”, tha Mitchell.

Ai i ka përgënjeshtruar disa shkrime në media, kryesisht në ato nga Serbia, se po e fillon këtë turne diplomatike në Ballkan për të propozuar një plan të ri amerikan për Kosovën.

“Nuk kam ardhur këtu që të shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur të bisedojmë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, për të folur për dialogun për rrugëtimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, tha Mitchell.

Zyrtari amerikan tha se në Ballkan ka prani të ndikimi të Rusisë, i cili sipas tij, nuk është në favor të askujt.

“Kemi parë rritje të ndikimit rus në tërë Ballkanin dhe si një pjesë e tyre duke i minuar edhe institucionet demokratike. Kemi qenë të qartë edhe në diskutimet tona me përfaqësuesit rusë se nuk është as në interesin e tyre dhe as të popujve të Ballkanit ky ndikim”, theksoi Mitchell.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se institucionet po punojnë shumë në konsolidimin e shtetësisë, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe atë të brendshëm.

Ai falënderoi administratën e presidentit Donald Trump për vëmendjen që po i kushton Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, rreth perspektivës euro-atlantike të këtij rajoni.

Ndërkaq, në lidhje me vazhdimin e dialogut me Serbinë, Thaçi tha se Kosova mbetet e përkushtuar në arritjen e zgjidhjeve që nuk cenojnë integritetin e Kosovës.

Thaçi e ka siguruar zyrtarin amerikan edhe me zotimin e shprehur të shtetit të Kosovës për luftimin e terrorizmit.

Përderisa te tema më e përfolur këto vitet e fundit, ajo e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Thaçi tha se partitë në pushtet, por edhe ato në opozitë nuk kanë më asnjë arsye që ta zvarrisin ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u hapet perspektiva e lëvizjes së lirë, pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

“Shpresoj që partnerët e koalicionit qeveritar të Republikës së Kosovës janë duke biseduar intensivisht me Listën Serbe dhe kjo çështje do të përmbyllet në ditët e ardhshme. Askush nuk e ka më asnjë arsye që të vonojë votimin e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, qofshin ato parti të shqiptarëve apo të komuniteteve. Është interes strategjik dhe interes shtetëror”, theksoi Thaçi.

Gjatë ditës, Mitchell do të takojë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues tjerë politikë dhe ata të shoqërisë civile.

Sipas një komunikate të Departamentit Amerikan të Shtetit, Mitchell po viziton Kosovën që të arrijë përparim në dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, të ndikojë në forcimin e sundimit të ligjit, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të kapërcejë sfidat rajonale në interes të stabilitetit dhe të integrimit në Perëndim.

Turneu i Wess Mitchell në Ballkan do të zgjasë deri më 17 mars. Pas Prishtinës ai do të vizitojë edhe Shkupin, Beogradin, Athinën dhe Nikozinë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Qershor 2018 - Ministria e Drejtësisë, me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, organizon tryezën e kampanjës informuese ”Kodi Civil modern qëndron për diversitet dhe mundësi”. (Shtëpia e Kulturës në Mitrovicë, ora 10:30)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi mban dëgjim publik lidhur me Projektligjin  për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Ish punëtorët e ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku” organizojn protestë. (Përpara Prokurorit të Shtetit në rrugën Luan Haradinaj, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për rratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme", etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 11:00)

- Drejtori i Kadastrit, Sadudin Berisha nga Komuna e Gjilanti mban konferencë të jashtëzakonshme për mediat, për sqaruar dhe faktuar çështjen e pronës së rrethrrotullimit prapa palestrës së sporteve “Bashkim Selishta”. (Këndi i konferencave në Komunën e Gjilanit, ora 11:00)

- Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbajë takim në Kaçanik, në të cilin do të diskutohet lidhur me shkëmbimin e përvojave në mes nivelit qendror dhe lokal. (Ndërtesa e Komunës së Kaçanikut, ora 11:00)

 - Mbahet mbledhja e komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi Projektligjit për plotesimin dhe ndryshimin e Ligjit për Patentë Shofer, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 13:00)

 - Mbahet mbledhja e komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për kompleksin memorial Adem jashari në Prekaz, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, sallaN 302, ora 13:00)

- Birn dhe Internews Kosova do ta publikojnë Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2017. (Ambientet e Objektit A të Pallatit të Drejtësisë, ora 13:30)