26 Prill 2024

Kosova është e përcaktuar për anëtarësim në BE

Prishtinë, 10 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën me temë “Agjenda për Reformën Evropiane”, e organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan.

Në këtë rast kryeministri ka theksuar se agjenda e reformave evropiane dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është vetë programi i Qeverisë.

Duke folur për qeverisjen e mirë, kryeministri Haradinaj tha se duhet të krijohet një ADN e qeverisjes, e cila i mbijeton të gjitha etapave, qofshin zgjedhjet, qofshin procese të tjera, pra një logjikë qeverisëse që kthehet në standard të përhershëm.

Kryeministri theksoi se kapaciteti implementues nuk është ai që ne duam, por do të punojmë që legjislacioni ynë, aktet e mira ligjore, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit,  të gjejnë zbatim në shtetin tonë.

“Çdo vendim dhe çdo aksion i qeverisës  duhet të mbërrijë te qytetari dhe prej tij të marrim reflektimin, në mënyrë që të kthehet te vendimmarrësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri njoftoi që për pak ditë do të mbahet takimi i Këshillit të MSA-së dhe aktualisht jemi duke përgatitur një dokument të prioriteteve kyçe që dalin nga MSA-ja.

“Për të gjitha këto punë, dëshirojmë të marrim mendimin e institucioneve të BE-së, por poashtu dëshirojmë t’i ndajmë me qytetarët e vendit, pra, në çdo etapë të jemi të ndërlidhur”, tha kryeministri, duke shtuar se Kosova është e përcaktuar për anëtarësim në BE.

Kryeministri tha se dinamika jonë shkon në drejtim të aplikimit për statusin e vendit kandidat gjatë vitit të ardhshëm, që nënkupton krijim të marrëdhënieve kontraktuale shumë më direkte dhe intensive me BE-në.

“Me statusin e vendit kandidat, Kosova nuk e arrin qëllimin final, por është një mundësi shumë e mirë për avancimin e marrëdhënieve të saja kontraktuale me BE-në”, theksoi kryeministri Haradinaj.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)