23 Tetor 2018

Komisioni Evropian mirëpritet paketën e planifikuar legjislative të ligjeve

Prishtinë, 15 maj - Në Kosovë janë duke u zhvilluar reforma përmbajtësore të administratës publike, nën udhëheqjen e Ministrisë së Administratës Publike dhe Zyrës së Kryeministrit.

Komisioni Evropian ka mirëpritur paketën e planifikuar legjislative të ligjeve, që përfshin ligjet mbi zyrtarët publikë, ligjin për pagat dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.

Komisioni gjithashtu mirëpret faktin se kjo paketë po përgatitet në një mënyrë të koordinuar, ashtu siç është zotuar Kosova se do të veprojë në dialogun e politikave për reformën e administratës publike të ngritur në kuadër të MSA-së.

Progresi në këtë drejtim u diskutua së fundmi më 26 prill, në Grupin e Veçantë për Reformë të Administratës Publike (RAP) në Prishtinë. Grupi i Veçantë për  RAP vëzhgon dhe shoqëron zbatimin nga Kosova të zotimeve të saj për të pasur institucione demokratike që funksionojnë mirë dhe për reformimin e administratës publike.

Grupi gjithashtu identifikon se si BE mund të ndihmojë më tej në këtë proces. Në takim u diskutuan vendimet kyçe politike që ende nuk janë marrë dhe që duhet të merren në muajt e ardhshëm.

Tre ligjet përbëjnë shtyllën e një reforme shumë përmbajtësore për Kosovën, e cila do t'i mundësojë Kosovës të ndërtojë kornizën legjislative dhe institucionale për një administratë publike më të barabartë, të bazuar në merita, koherente dhe llogaridhënëse.

E gjithë kjo bëhet me synimin për të siguruar ofrim më efektiv dhe efikas të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Qëllimi i ligjit për paga, për shembull, është të harmonizojë strukturën e pagave në shërbimin civil, në mënyrë që të ketë pagë të barabartë për punë të barabartë.

Si pjesë e këtij objektivi të gjerë reformash janë duke u hartuar tre ligje dhe aktualisht janë duke hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjes nga ana e qeverisë.

Një numër çështjesh kyçe të politikave janë ende të hapura dhe BE mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mënyrë që të mund të gjenden zgjidhje të zbatueshme dhe të qëndrueshme, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me kostot e pashmangshme të zbatimit të tyre.    

Të gjitha reformat e administratës publike duhet të projektohen në bazë të realiteteve në Kosovë, duke përfshirë kulturën e punës, strukturën institucionale dhe kapacitetet në dispozicion.

Si kryesore, veçanërisht në lidhje me projektligjin për pagat, Komisioni vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova që të sigurojë konsultime publike sa më të gjera, duke përfshirë me sindikatat e mësuesve, personelin e kujdesit shëndetësor dhe grupet e tjera të prekura, veçanërisht duke pasur parasysh afatin ambicioz dhe fushëveprimin.

Këto konsultime gjithashtu janë të rëndësishme për shkak të rreziqeve që mungesa e komunikimit të mjaftueshëm mund të sjellë në pranimin nga shoqëria të një projekti më të gjerë reformash.

Lidhur me Ligjin e ri për Zyrtarët Publikë, Komisioni rekomandoi që të ketë rekrutim të bazuar në pozita (konkurs të hapur) për shërbyesit e lartë civilë, e jo rekrutim të menaxhmentit të lartë nga një “grup” i mbyllur, në mënyrë që të sigurohet aftësia e institucioneve publike për të tërhequr talentet dhe ekspertizën e nevojshme.

Në të njëjtën kohë, Komisioni thekson se ndikimi politik mbi emërimet e larta vazhdon të jetë një shqetësim serioz dhe se duhet të ndërmerren hapa brenda ligjit të ri, si dhe rregullores aktuale, për të siguruar një proces më shumë të bazuar në merita.

BE-ja mbetet e përkushtuar që reformat e vetë Kosovës t’i shoqërojë edhe me ndihmë. Për këtë arsye, BE-ja dhe Kosova kanë lidhur një Kontratë për Reformë Sektoriale për Reformë të Administratës Publike, e cila parashikon një ndihmë financiare prej 25 milion euro për Kosovën deri në vitin 2021.

Kjo ndihmë është e ndarë në katër pagesa me një shumë maksimale prej 22 milion € në Buxhetin e Kosovës, dhe 3 milion euro asistencë teknike. Pagesat në buxhet janë të kushtëzuara me përparim në reforma dhe në përmbushjen e synimeve që janë rënë dakord reciprokisht.

Një pagesë prej 5,5 milion € është planifikuar për disbursim në vitin 2018, nëse Kosova plotëson kushtet e përcaktuara në kontratë. Këto kushte kanë të bëjnë me përparimin e bërë në zbatimin e reformave të administratës publike dhe menaxhimit të financave publike, në zbatimin e politikave makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe në rritjen e transparencës së buxhetit.

Këto kushte vlerësohen dhe duhet të përmbushen për secilën pagesë të kontratës, përfshirë pagesat e parashikuara për 2019, 2020 dhe 2021. Për vitet në vijim, pagesa do të lidhet gjithashtu me arritjen e tetë synimeve, të negociuara bashkërisht dhe të përcaktuara në kontratën e reformës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 tetor 2018  - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim deputetin e Parlamentit të Gjermanisë, Peter Beyer. (Kabineti i Presidentit, ora 9:00 - vetëm pamje)

- Ministri i Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviç viziton Ministrinë për Forcën e Sigurisë të Kosovës. (Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, ora 9:25)

- Misioni i OSBE-së organizon punëtori për gazetarët me titull mediat në gjykatore në Gjykatat Themelore. (Gjykata Themelore në Prizren, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën do të behët formimi i grupeve punuese për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pret në takim zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer.  (Kabineti i Presidentit, ora 10:00 - vetëm pamje)

- Me rastin e vizitës së zotit Peter Beyer, deputet në Bundestag, në Kosovë, Ambasada Gjermane organizon një takim me gazetarë. (Ambasada Gjermane, ora 10:00)

- Policia e Kosovës organizon hapjen e  fushatës së titulluar “Dhuna nuk arsyetohet”.  (Sheshi ”Zahir Pajaziti”, ora 10:00)

 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit për mbështetjen e punës së AKI-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon panelin e diskutimit me temë “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial sipas këndvështrimit dhe vlerësimit të qytetarëve". (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës pret në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:45)

- Ministri për Forcën e Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha dhe Ministri i Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviç mbajnë konferencë për media. (Ndërtesa e Ministrisë se FSK-së, ora 10:50)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Propozim - vendimit të Qeverisë për kandidatet për kryesues të Bordit të ZRRE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media në të cilën do të paraqiten rekomandimet e KDI-së, lidhur me të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe rreziqet me të cilat përballen në vendin e punës. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi,  Predrag Bošković. (Kabineti i Presidentit, ora 11:20 - vetëm pamje) 

- Qendra për Paqe dhe Tolerancë në përkrahje nga OSBE dhe në bashkëpunim me Komunën e Vitisë dhe me shkollat e mesme në këtë komunë organizon aktivitetin e pastrimit të Parkut të Qytetit në Viti. (Parku i Qytetit në Viti, ora 13:00)

 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me Projektligjin për Pagat dhe Zyrtarët Publik. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët qendrore të Vetëvendosjes, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së parë të Shkollës së Lartë Profesionale - Cacttus Education. (Hotel Sirius, ora 15:00)