09 Korrik 2020

Institucionet të përkushtuara ndaj perspektivës evropiane

Prishtinë, 17 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel është takuar me Komisionarin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule. 


Temë bosht e takimit ka qenë thellimi i përkushtimit të institucioneve të Kosovës për perspektivën evropiane të Kosovës, procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe marrëveshja tregtare me BE-në.
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar komisionarin Stefan Fule për të gjitha të arriturat e institucioneve të Kosovës, për përkushtimet e vazhdueshme për qeverisje të mirë, efektive dhe transparente, për sundimin e rendit dhe ligjit, për respektimin afirmativ të komuniteteve.
 
Kryeministri Thaçi njoftoi z.Fule edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e tij për arritjen edhe të një vote shtesë të nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar.
 
Kosova është në pritje të rekomandimeve të BE-së për pyetësorin për marrëdhëniet tregtare. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgatitur dhe e gatshme për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, - theksoi kryeministri Thaçi në takim dhe shtoi se Kosova ka ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët, me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira fqinjësore si dy shtete të pavarura edhe me Serbinë, në shërbim të bashkëpunimit rajonal.
 
Me këtë rast, përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi për suksesin e arritur nga Qeveria e Kosovës në përmbushjen e kritereve teknike në funksion të pranimit të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Ata kanë siguruar që deri në fund të verës, pritet që Kosova të pranojë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
 
Në takim me komisionarin e BE-së për Zgjerim, Stefan Fule, kryeministri Thaçi është zotuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të mirë me EULEX-in dhe Komisionin Europian, sidomos në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në forcimin e sundimit të ligjit.
 
Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i përmbushin të gjitha detyrat që dalin nga procesi i integrimit në BE, me një dinamikë më të përshpejtuar, që garanton suksesin tonë të gjithmbarshëm – është shprehur z.Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi dhe shqyrtimi i disa Projektligjeve për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit bën përurimin e stadiumit në Sërbicë të Poshtme, projekt i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ku do të jetë i pranishëm kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DKRS-së, Emilija Redzepi. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:30)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët  votimi i Propozim rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë - Serbi. (Salla e Kuvendit, ora 10:30)

- Në nderim të ushtarit amerikan Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, që ka humbur jetën në një incident, që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur, Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta ulin në gjysëm shtizë flamurin amerikan. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- OVL e UÇK-së mban protestë gjithëpopullore me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”. (Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flet Albulena Haxhiu. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në të cilën do të behët shqyrtimi dhe aprovimi i Propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga rezervat e buxhetit komunal, nga kategoria pozicionit të pagave në kategorinë e Investimeve Kapitale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 14:00)

Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës.

- Mbahet një takim pune i organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në të cilin do të diskutohet dokumenti - Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. (Ndërtesa e re e Qeverisë ish-Rilindja, salla e konferencave, kati XVIII, ora 15:00)