05 Korrik 2020

Hyseni lobon për t’i bindur vendet afrikane, të njohin Kosovën

Nicë, 30 maj - Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Nicë, në margjinat e samitit Afrikë – Francë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka zhvilluar një seri takimesh me Ministra të Punëve të Jashtme të shteteve afrikane, në përpjekje për t’i bindur këto vende që të njohin shtetin e Kosovës.

Ministri Hyseni ka përsëritur kërkesën e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës në takimet që ka zhvilluar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Eritresë, Osman Saleh Mohammed, Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Ahmed Aboul Gheit, Ministrin e Punëve të Jashtme të Ganës, Alhaji Muhammad Mumuni, Ministrin e Punëve të Jashtme të Guinesë Ekuatoriale, Pastor Micha Ondo Bile, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Zambisë, Kabinga Pande.

Gjithashtu, në takime të veçanta, Ministri Hyseni ka takuar edhe Sekretarin e Shtetit për Politikë të Jashtme të Guinea Bissau, Lassanna Toure, përfaqësuesin e Bregut të Fildishtë, Pierre Kipre dhe ambasadoren e Mozambikut, Nembe Uaiene, duke ripërsëritur kërkesën e tij për njohjen e Kosovës dhe duke folur për rëndësinë që ka kjo njohje për konsolidimin e mëtejmë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.     

Në këto takime, Ministri Hyseni është njoftuar se kërkesa për njohje është duke u shqyrtuar seriozisht, derisa disa nga ministrat e kanë siguruar Ministrin Hyseni se mund të llogarisë në mbështetjen e atyre vendeve dhe në një përgjigje të shpejtë pozitive.

Gjatë  qëndrimit në Nicë, Ministri Hyseni ka takuar edhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Franceze, Bernard Kushner. Në këto takime, Ministri është shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Korrik 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi Inspekton investimet në fushën e futbollit në fshatin Novosellë të Pejës. (Fshati Novosellë, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim drejtuesit e institucioneve shëndetësore. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton shpellën “Bukuroshja e Fjetun”, promovim i turizmit kulturor. (Pejë, ora 13:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Garën ndërkombëtare e automobilizimit “Kulla 2020”. (Pejë, ora 15:30)