26 Prill 2024

Gjyqësori dhe prokuroria duhet t’i luftojnë fenomenet negative

Prishtinë, 1 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të Programit fillestar për arsimim ligjor për gjeneratën e tretë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë në Institutin Gjyqësor të Kosovës.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë vendorë e ndërkombëtarë, të mekanizmave që mbështesin punën e Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Duke folur me këtë rast, Presidenti Sejdiu shprehu konsideratën e tij të madhe për punën që bën Instituti Gjyqësor i Kosovës në ndërlidhjen institucionale dhe shkencore me institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh përvojën e mirë që keni kapërcyer, edhe në kuptim të promovimit të vlerave të reja të një fondi të mirë prej njerëzve që do të jenë gjyqtarë apo prokurorë në nivele të ndryshme të Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, në promovimin e vlerave që ju ua jepni në bashkëpunim me të gjithë partnerët, krijoni një bazë të rëndësishme të përzgjedhjes në procesin e madh të reformës që jemi duke e thelluar ditë e përditë”, tha Presidenti Sejdiu.

Jeni në dijeni se në Kosovë kemi përfunduar dy cikle të mëdha, ciklin e parë që lidhet në nivel shteti me gjyqtarët, në Gjykatën Supreme dhe në Prokurorinë e Shtetit dhe, në ciklin e dytë të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në nivel të distrikteve apo të qarkut dhe tash janë përgatitjet për të finalizuar edhe ciklin e tretë në nivel të komunave, tha më tej Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu theksoi në vijim nevojën për ngritjen në vazhdimësi të nivelit së punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës, edhe me ndihmën e vazhdueshme të institucioneve ndërkombëtare që e kanë ndihmuar atë edhe deri tash.

“Kosova nuk ka nevojë për kuantitet, por ka nevoje esencialisht për kualitet dhe ky kualitet është në trajtim të barabartë të të gjithëve që mbarojnë studimet, të shihet në një evaluim esencial të të gjitha aspekteve që janë të nevojshme, në kuptim të zgjedhjes së më të mirëve nga më të mirët”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtruar si nevojë inkorporimin e përfaqësuesve të minoriteteve, si dhe nevojën e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë katedra të studimeve në fushën e drejtësisë.

Presidenti Sejdiu theksoi në fund të fjalës së tij se sistemi gjyqësor dhe prokurorial është ai që duhet të jetë në krye të luftës kundër fenomeneve negative në shoqërinë tonë.

“Sa do të jetë e suksesshme puna jonë në ndërtimin e gjyqësorit dhe sistemit prokurorial, si pushtete të pavarura, për aq do të jetë e suksesshme edhe lufta kundër fenomeneve të këqija”, theksoi Presidenti Sejdiu.

“Në Kosovë ka gjëra të këqija, ato që i kemi folur të gjithë së bashku. Ka korrupsion. S’them dhe s’mund të jem ai që ta zgjas lirë gishtin e të them se ky është ai, sepse drejtësia duhet ta bëjë për secilin punën e vet. Paralelisht them se është mbështetja institucionale, për aq sa është e lejueshme me Kushtetutë dhe me ligje, që të luftohet çdo fenomen i tillë, gjithmonë duke lënë një porosi që pjesa e qasjes politike të jetë jashtë. Politika e ka për borxh të sigurojë funksionimin në interesat e përbashkëta nacionale. Natyrisht, secili institucion në mënyrën e vet, të pavarur, ta bëjë punën e vet”, tha Presidenti Sejdiu, duke folur në ceremoninë e fillimit të Programit fillestar për arsimim ligjor për gjeneratën e tretë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë në Institutin Gjyqësor të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)