26 Prill 2024

Gjermania do të vazhdoj të mbetet partner i qëndrueshëm i Kosovës

Prishtinë, 14 shkurt - Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim dhe ka falënderuar ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, për përkrahjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës që nga koha e vështirë e deri në ditët e sotme në të gjitha dimensionet.

Në takimin që kryeministri Haradinaj zhvilloi me ministrin e Jashtëm Gabriel, u bisedua për progresin që ka bërë Kosova në këto 10 vjet në shtetndërtim, në zhvillimin ekonomik, por edhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Pas takimit, në të cilin ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dalibor Jevtiq, kryeministri Haradinaj dhe ministri Gabriel, mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

“Për mua dhe për Kosovën çdo zyrtarë që vjen nga Berlini është interes, është dobi dhe ndihmë, por sot është një nder i veçantë që në Kosovë ta kemi ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Sigmar Gabriel me një delegacion. Kjo ishte një mundësi ideale për t’i shpjeguar ministrit për zhvillimet në Kosovë, për t’i dhënë po ashtu bindjet tona për të arriturat e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi Gjermaninë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës si në aspektin ushtarak, në atë ekonomik, të ndërtimit të jetës politike, e po ashtu edhe në perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

“Në emër të qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderimet më të mira Ju, popullit të Gjermanisë për përkrahjen dhe sot për vizitën tuaj”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se në takim është biseduar për të gjitha temat, njëkohësisht edhe për zhvillimet në rajon, duke ftuar investitorët nga Gjermania që të investojnë, ngase Kosova ka resurse dhe potencial të mjaftueshëm për investime. 

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe në emër të tij dhe të Republikës Federale të Gjermanisë, përgëzoi për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Më tej ministri Gabriel ka thënë se Gjermania do të vazhdoj të mbetet partner i qëndrueshëm i Kosovës, jo vetëm në aspektin politik por edhe në atë ekonomik, si dhe do të ofrojë asistencën e duhur për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)