26 Prill 2024

Fillon një kapitull i ri midis Kosovës dhe Iowas

Prishtinë, 8 maj - Pas fjalës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka vazhduar takimi i delegacionit nga Iowa e SHBA-së me anëtarë të komisioneve të Kuvendit.

Një nga drejtuesit e delegacionit amerikan, Zach Nunn, përfaqësues në Komitetin për Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga Iowa State Capital, tha se po fillon një kapitull i ri midis Kosovës dhe Iowa.

Ai shtoi se qytetarët e Iowas në fushën e sigurisë kanë ndihmuar Kosovën në zgjidhjen e problemeve të saj. Nunn shprehu dëshirën që bashkëpunimi mes Iowa dhe Kosovës të jetë i përhershëm.

“Është mirë të shoh se sa keni përparuar. Ne dëshirojmë të jemi partner i juaji dhe pjesë e kapitullit tuaj të ri, jo vetëm për 10 vjetët e ardhshëm, por për tërë jetën. Kosova ka bërë partneritet me ne, kemi edhe konsullatën tuaj atje. Kjo ka vendosur marrëdhënie edhe më të forta”, theksoi Nunn.

Timothy Orr, Gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowas, tha se Kosova ka qenë pjesë e bashkëpunimit me Iowan edhe më përpara se të fillojë partneriteti në mars të vitit 2011. Ai shprehu kënaqësinë që ka pasur rastin të jetë në Kosovë që nga paslufta.

Ai tha se për shtatë vite të partneritetit dhe bashkëpunimit me FSK-në, është ecur shumë përpara. Partneritetin me Kosovën, Orr e konsideroi më të mirin nga 77 partneritete sa ka Iowa në gjithë botën.  

“Zemra ime do t’i takojë çdo herë Kosovës. Kjo është shtëpia ime e dytë”, theksoi gjenerali Orr.

Në vazhdim të takimit, të cilin e drejtoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, fjalën e mori kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani, i cili evokoi kujtime nga koha e luftës, përkatësisht masakra e Dubravës e vitit 1999.

Ai tha se tani po bëhen përpjekje për të ndërtuar dhe zhvilluar vendin, ndërsa mbështetja amerikane dhe veçanërisht e Iowas, sipas tij, është shumë e rëndësishme.

Hasani tha se nëse në luftë qëllimi ishte liria, tani synim kryesor i gjithë spektrit politik është zhvillimi i mëtejmë i shtetit dhe integrimi në strukturat euro-atlantike.

Deputeti Dukagjin Gorani, u tha mysafirëve amerikanë se kjo është shtëpia e tyre e dytë, ndërsa Kosova po përpiqet që të bëhet model i së ardhmes. Gorani tha se është e vështirë të artikulohet mirënjohja për SHBA-të.

Ai tha se ajo çfarë Kosova ka mësuar nga SHBA është se kërkesa dhe nevoja për liri është tejet e çmueshme.

“Është kënaqësi t’ju shohim në Prishtinë, duke parë që kemi miq nga jashtë që mendojnë për ne”, theksoi Dukagjin Gorani.  

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu adresua edhe deputeti Ismet Beqiri, i cili theksoi përkushtimin për vazhdimin e ndërtimit të marrëdhënieve miqësore me SHBA-të.

Ai tha se historia e lidhjeve me Amerikën e bën bashkë gjithë spektrin politik të Kosovës. Beqiri kujtoi maksimën e ish-presidentit Rugova se “Kosova do të ketë miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Deputeti Milaim Zeka falënderoi në mënyrë të veçantë pilotët e NATO-s, duke i quajtur heronj t gjallë, të cilët më 1999 bombarduan sistemin e Milosheviqit. Ai tha se SHBA-ja dhe perëndimi kanë ruajtur substancën biologjike të popullit të Kosovës.

Zeka shtoi populli ynë është i vogël por i ka dhënë Amerikës dhe botës emra të mëdhenj.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi, theksoi se Kosova është një shtet i cili mbështet fuqishëm SHBA-në.

Në vazhdim ai foli për sistemin e arsimit në Kosovë, duke theksuar nevojën e rritjes së kualitetit në këtë sektor, e cila, sipas tij, do të ndikonte edhe në uljen e papunësisë.  

Në takim folën edhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit nga Iowa, të cilët shprehën kënaqësinë e tyre për arritjet e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmuan vazhdimin e mbështetjes së vendit të tyre për Kosovën edhe në të ardhmen. ​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)