05 Korrik 2020

Feith: Kosova është e pavarur përgjithmonë

Washington , 25 maj - Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, tha se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vështirë se do t’i ndryshojë përkushtimet e vendeve ndaj Kosovës. “Kosova është e pavarur përgjithmonë”, tha Feith, gjatë fjalimit të tij në Institutin Amerikan për Paqe, në Washington, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në Ballkan ka ende punë të papërfunduar, tha shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, në fjalimin në Institutin Amerikan për Paqe.

Ai u fokusua në tri çështje për sa i përket Kosovës dhe rajonit.

“E para, gjendja aktuale në Kosovë; e dyta, sfidat që duhet të adresohen dhe, e treta, mënyra për të shkuar përpara në partneritetin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Feith.

Ai tha se deri sot, 69 vende e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Feith sqaroi se zgjidhja gjithëpërfshirëse për statusin e hartuar nga presidenti Ahtisari, e përcakton Kosovën si shtet demokratik, shumetnik dhe me të drejta të barabarta për të gjithë, i përbërë nga qytetarët e përcaktuar që të jenë ndërtues të plotë në procesin e shtet-ndërtimit.

“Përparimi i bërë në dy vjetët prej 2008-ës është indikator i rëndësishëm i përkushtimit të Kosovës ndaj vetes dhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha Feith, duke vlerësuar lart progresin në Kosovë.
“Rrugëtimi i Kosovës në dy vjetët e fundit, sipas meje, është i jashtëzakonshëm”, tha shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Feith shtoi se kërkesa e Kosovës për njohje ka hasur në mirëkuptim në shumë shtete.

“Si përfaqësues ndërkombëtar, më lejoni të vërej se shumica e bashkësisë ndërkombëtare e ka përkrahur me vendosmëri kërkesën e Kosovës për njohje ndërkombëtare”, tha ai.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të japë mendim këshillëdhënës mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, para fundit të këtij viti. Por, unë parashikoj se kjo do të ndodhë shumë më herët, ndoshta nga fundi i korrikut”, tha Feith.

Ai tha se mendimi i Gjykatës vështirë se do t’i ndryshojë përkushtimet e vendeve ndaj Kosovës. Kosova është e pavarur përgjithmonë, tha Feith.

Lidhur me strukturat paralele në veri, Feith tha se Serbia duhet të “reflektojë” për ato, në qoftë se dëshiron të afrohet më shumë në Evropë.

Ai tha se rrjedha e fondeve nga Beogradi duhet të jetë transparente, përndryshe nuk do të mund të vazhdojë.

Në pyetjen lidhur me ndarjen e mundshme të Kosovës, Feith tha se edhe në një në rast të tillë, Serbisë do t’i mbeteshin enklavat dhe monumentet historike në jug.

Nuk duhet të kapemi për ndryshime të kufijve, madje “edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e favorizojnë këtë”, tha Pieter Feith.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Korrik 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi Inspekton investimet në fushën e futbollit në fshatin Novosellë të Pejës. (Fshati Novosellë, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim drejtuesit e institucioneve shëndetësore. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton shpellën “Bukuroshja e Fjetun”, promovim i turizmit kulturor. (Pejë, ora 13:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Garën ndërkombëtare e automobilizimit “Kulla 2020”. (Pejë, ora 15:30)