30 Shtator 2022

E ardhmja e Kosovës është në BE, nuk ka alternativë tjetër

Prishtinë, 9 maj - “E ardhmja e Kosovës është në BE, dhe alternativë tjetër, përveç vazhdimit të ecjes përpara në rrugën e saj evropiane, nuk kemi”, tha sot ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Duke shënuar Ditën e Evropës dhe përvjetorin e Deklaratës Schuman që krijoi themelet për paqen e qëndrueshme mes kombeve evropiane, ambasadori Szunyog vuri në dukje se pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë dhe se agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për integrimet evropiane të rajonit.

“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Përkundër çfarëdolloj sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet  kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog.

Duke theksuar mbështetjen e BE-së, ai bëri thirrje për përkushtim të vazhdueshëm prej Kosovës për arritjen e progresit në rrugën e saj evropiane.

“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, tha Szunyog, duke shtuar se mediat duhet të jenë të lira nga çdo presion dhe të gëzojnë siguri dhe liri të shprehjes.

2022 është Viti Evropian i Rinisë dhe shumica e aktiviteteve të organizuara nga BE-ja në Kosovë për kremtimin e Ditës së Evropës janë të menduara për të rinjtë dhe fokusohen në energjinë e gjelbër, mjedisin dhe digjitalizimin.

Bashkëngjitur do të gjeni pasqyrën e plotë të aktiviteteve të Ditës së Evropës të zbatuara në mbarë Kosovën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 shtator 2022

- Në Ditën Ndërkombëtare e Personave të Moshuar UNFPA prezanton të dhenat kyqe dhe opsionet e dala nga anketa për izolimin social tek personat e moshuar në Kosovë. (Hotel International Prishtina, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 219-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Online, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Hekuran Murati, Minister i Financave, Punës dhe Transfereve dhe interviston Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Balkan Green Foundation me mbështjetje të Heinrich Böll Stiftung mban konferencë për media, në të cilën do të prezentohet hulumtimi: “Kriza Energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë”. (Zyret e Balkan Green Foundation afër Librarisë Koha në Prishtinë, ora 12:00)

- Nën organizimin e organizatës gjermane GIZ, kryetarët e komunave të regjionit të Gjilanit nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi. (Hotel Astoria në Gjilan, ora 13:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Redžepi, marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët me komunitetin boshnjak, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:30)

- Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino do të qëndrojë në Kosovë ku mbajë edhe një konferencë për media. (Selia e Federatës së Futbollit, ora 15:00)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, përfaqësues të Federatës së Xhudos të Kosovës marrin pjesë në ceremoninë e lansimit të programit "Kosova, shtet i xhudos”. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 17:00)

- Qendër Telefonike për Parandalim të Vetëvrasjes Linja e Jetës organizon një koncertë për mbledhje të fondeve në mënyrë që të mos mbyllet pasi është në gjendje të rënduar financiare, ora 20:30