26 Prill 2024

Duhet ndalur Thaçi që të shpëtojë Kosova

Prishtinë, 10 korrik - Lëvizja Vetëvendosje! shumë herë ka paralajmëruar se po përgatiten plane të fshehta për Republikën e Kosovën dhe se Presidenti ka plan ndarjen e Kosovës përmes pazareve me Vuçiqin.

Në konferencën e sotme deputeti Rexhep Selimi foli në lidhje me incizimet e publikuara mbrëmë ku dëgjohet Kryeminstri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev teksa flet për planet e fshehta Thaçi-Vuçiq për ndarje të Kosovës.

“Në këto biseda të bëra në vjeshtën e vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019, Zaev shpreh shqetësimin e drejtpërdrejtë se presidenti i Kosovës, përmes planit për copëtim të Kosovës e ndryshim të kufijve, po vepron sipas skenarit të Moskës”, tha Rexhep Selimi.

Pavarësisht se ka me dhjetra vendime e veprime të Thaçit në dëm të Kosovës ajo që u dëgjua mbrëmë nga kryeministri maqedonas Zaev, është tejet shqetësuese. Thaçi duke mashtruar popullin e Kosovës, duke bërë marrëveshje të fshehta, duke i ndërruar fjalët, po vazhdon të shtyjë përpara planin e Moskës për Kosovën.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese fatmirësisht e ndal shprehimisht Thaçin prej vazhdimit të një dialogu të tillë, por duket se kjo nuk do të mjaftojë. Këtë njeri duhet ta ndalim që të shpëtojë Kosova. Një njeri i shantazhuar me dosje të reja e të vjetra nga Serbia nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në raport me Serbinë.

Thaçi në relacion me Serbinë ka edhe konflikt interesi. Si i shantazhuar nga Serbia ai po vepron në interes të Serbise, edhe nëse eventualisht nuk do ta deshironte një gjë të tillë. Prandaj atij duhet t’i ndalohej ta përfaqësonte Kosovën, aq më tepër në raport me Serbinë.

Ekzistojnë kushtet që planet e Thacit me qarqet serbo-ruse të metastazojnë aq më tepër kur tash në Kosovë kemi një qeveri të paaftë dhe të korruptuar dhe kur Parlamenti ka dalë jashtë funksionit dhe praktikisht nuk ekziston.

Ne nuk presim dorëheqje nga Thaçi. Ai nuk jep dorëheqje as kur kapet në skandale, as kur kapet në shkelje të Kushtetutës e as kur kapet në tradheti ndaj interesave kombëtare. Njerëz të tillë që kanë në plan këso pazare nuk japin dorëheqje asnjëherë. Tash kur botërisht ai po njihet si njeri i Rusisë Kosova nuk e ka luksin të mbajë në krye një njeri të tillë. Zgjedhjet e menjëhershme janë porta drejtë zgjidhjes.

Ne i bëjmë thirrje forcave politike që sa më parë të çojmë vendin në zgjedhje prej nga do të krijoheshin kushtet që ky president të largohej. Sa më parë që të shkojmë në zgjedhje aq më mirë për Kosovën ndaj së cilës tashmë ka plane të këqija e të fshehta. Kosovës i duhet një Kuvend tjetër dhe një tjetër qeveri që do ta merrte përsipër mbrojtjen e vendit nga planet serbo-ruse të Thaçit dhe që do të hetonte veprimtarinë e tij anti-shtetërore.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)