22 Shtator 2021

Barazia Gjinore është obligim ligjor në zgjedhjet lokale

Prishtinë, 3 gusht - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) po përcjellë me vëmendje të shtuar zyrtarizimin e kandidatëve për kryetar/e të komunave. Është shqetësuese që nga kandidatët e zyrtarizuar deri më tani, gratë mbesin shumë pak të përfshira në listat zgjedhore të partive politike. RrGK vlerëson përpjekjet e disa partive për të kandiduar gra në garën për zgjedhje lokale.  

Sidoqoftë, përzgjedhja e deritanishme e shumicës së kandidatëve burra për kryetar/e të komunave sipas RrGK-së është jashtëzakonisht problematike. Kjo praktikë e ndjekur nga partitë politike është duke pamundësuar përfshirjen e grave në jetën publike dhe ndërtimin e një shoqërie më të barabartë.

RrGK ua rikujton partive politike të Kosovës se neni 14 i Ligjit për Barazi Gjinore (LBGJ) i obligon ato që të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji - i cili përcakton qartë se në ato raste kur ekzistojnë pabarazitë, duhet të merren masa të veçanta të përkohshme me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike ndërmjet grave dhe burrave në ato fusha ku ekzistojnë pabarazi.

Prandaj, është e domosdoshme që të respektohet ky ligj dhe të krijohen kushtet që gratë të kenë mundësi që në mënyrë të barabartë me burrat të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse.

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit treguan për një pjesëmarrje të madhe të grave në procesin zgjedhor dhe sollën rritje të numrit të grave në përfaqësimin politik.

Përmes votës, qytetarët treguan që duan më shumë gra në pozita udhëheqëse andaj partitë politike, përveç respektimit të LBGJ, e kanë për obligim që t’a respektojnë këtë vullnet dhe të ofrojnë më shumë hapësirë për gratë në zgjedhje lokale.

Teksa afatet po ngushtohen dhe brenda partive ende po diskutohet për kandidaturat e mundshme, RrGK edhe njëherë u bën thirrje të gjitha partive politike që të kandidojnë sa më shumë gra për kryetare të komunave në zgjedhjet lokale dhe t’i përmbahen standardit të përfaqësimit minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) në pajtim me kushtet e parapara me Ligjin për Barazi Gjinore.

"Ne kërkojmë që partitë politike të angazhohen për të ofruar hapësirë  për gratë në këto zgjedhje lokale duke krijuar mundësi për përfshirje në përfaqësim politik edhe të grave me aftësi të kufizuara, grave rome, ashkalike, egjiptiane, gorane dhe serbe të cilat nuk janë të përfaqësuara fare. Gratë kanë nevoja dhe ide të ndryshme, dhe për një udhëheqje  gjithëpërfshirëse, është e domosdoshme përfaqësimi i tyre në organet vendimmarrëse", thekson RrGK.

Ua rikujtojmë partive politike në Kosovë se përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse është një hap i rëndësishëm në përpjekjen për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Shtator 2021

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Komunën e Prishtinës, Policinë e Kosovës, OJQ-të shënojnë “Ditën Ndërkombëtare pa Makina”. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton formon grupin punues për Projektligjin për Gjykatën Komerciale, shqyrton raportet e Komisioneve të përhershme  për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj,. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 203-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Përmes formës online, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton rekomandimet e dala nga raporti i auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportin vjetor Financiar i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronëssi dhe Raportin vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë bën rishikimin e Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim i Politikave dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bashkëpunim me Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut organizojnë një konferencë me temë 'Sfidat e Kosovës që vijnë Rusia dhe Kina' me Holden Triplett Agjenti Special i FBI -së dhe Drejtor për Kundërzbulimin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ret. (https://zoom.us/j/98242813908?pwd=cFBiZGdMV3pRTTV3RDJBbTE5UEtVQT09, ora 16:00)