26 Prill 2024

Badihavxhinjtë pushtojnë shtetin

Prishtinë, 8 maj - "Edhe kjo Qeveri njëjtë po dështon sikurse Kuvendi, për shkak të numrit apo mospranimit të njerëzve që janë zgjedhur dhe realisht i marrin pagat dhe shëtisin rrugëve. Ka përplot njerëz badihavxhinj, por marrin paga të mëdha të panevojshme, zhvatëse dhe pa asnjë kontribut", theksoi analisti Blerim Burjani për "Kosova Sot"

"Kosova, duke qenë në këtë mendësi klienteliste, s'mund t'i bëjë vendit ndryshime në favor të zhvillimit. Pushteti dynivelesh, më shumë shihet si mjet drejt ekonomizimit klanor sesa konsolidimit shoqëror, kjo logjikë është ndëshkuese për çdo qytetar dhe çdo ditë me këtë politikë është më shumë ndëshkim për shoqërinë", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot"

"E çuditshmja është se qytetarët ankohen tërë kohën për politikën dhe lidershipin e dobët e katastrofal dhe për fat të keq sërish ata po i votojnë të njëjtët dhe kjo është një pasojë që do ta bartë vetë populli ", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot"

Në mungesë kuorumi, në shumë rast po ndodh që po dështojnë seancat e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk po ka deputetë të mjaftueshëm për votime të vlefshme.

E keqja nuk po ndalet këtu, ngase ngjashëm po dështojnë edhe mbledhjet e Qeverisë, pasi ministrat në shumë rast nuk janë prezentë në këto mbledhje.

 Sipas njohësve të kësaj fushe, thuhet se të gjitha partitë politike, që janë në koalicion qeveritar, janë hedhur në aksion se kush më shumë do të arrijë që ta shfrytëzojnë periudhën sa janë në pushtet për të mbushur xhepat e kontot e tyre nga korruptimi e krimi i organizuar multi-milionësh.

 Analistët thonë se të gjitha partitë politike po bëhen pjesë të zhvatjes masive të buxhetit dhe abuzimit të pozitave zyrtare,në të dyja nivelet e pushtetit.

 Sipas tyre, taksapaguesit e varfër të Kosovës janë ata që po e paguajnë koston dhe luksin e pushtetarëve, të familjarëve e klaneve përkatëse aktuale.

Analistët vlerësojnë se kjo kastë pushtetarësh është duke rrënuar çdo gjë publike e shtetërore duke forcuar aksionet e tyre biznesore kriminale në korporatat e tyre mafioze, që ushqehen nga shteti përmes monopoleve antikushtetuese, përmes kontrabandës dhe kapjes së ATK-së dhe Doganave të Kosovës.

Krizë e thellë shtetërore

Analisti politik, Arsim Haziri, për " Kosova Sot ", tha se vendi po kalon në një krizë të madhe shumëdimensionale dhe këtë situatë është duke e kuptuar edhe vetë politika e pandërgjegjshme.

"Politika në Kosovë përgjatë gjithë kohës, ka krijuar një praktikë përçarëse dhezotëruese, madje edhe dhunuese në kuptimin mendor. Qytetarët aktualisht më shumë kanë bindje sesa mendim, ama bindja në shoqërinë tonë është e papërcjellë me gjykim racional", u shpreh ai.

"Funksionarët më të lartë të shtetit, janë përtej obligimit të përgjithshëm, ata më shumë janë vënë pas interesave të mëdha ekonomike dhe zotërimit të pasurive publike sesa pas progresivitetit social, kjo logjikë implementohet në çdo procese politik", vijoi më tej Haziri.

Ndërsa, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, juristi, Blerim Burjani, tha për 'Kosova Sot", se ky Kuvend dhe kjo Qeveri, janë të dështuar plotësisht për të mbërritur objektivat e duhura dhe të nevojshme bazuar në programet, duke filluar nga ligjet që duhet të nxjerrë, pasi Kuvendi ka dështuar plotësisht që të shtyjë përpara agjendën e aprovimit të ligjeve të shumta që kanë ngecur nëpër sirtarët e Qeverisë dhe ministrive.

"Edhe kjo Qeveri njëjtë po dështon, sikurse Kuvendi, për shkak të numrit apo mospranimit të njerëzve që janë zgjedhur dhe realisht i marrin pagat dhe shëtisin rrugëve, përplot njerëz badihavxhinj, por marrin paga të mëdha të panevojshme, zhvatëse dhe pa asnjëkontribut", theksoi ai.

"Kosova ka nevojë për njerëz profesionalë, kudo që janë ata në Qeveri dhe në Kuvend dhe jo njerëz të padobishëm për tregun e punës, se kjo pastaj po manifestohet si dobësi e madhe edhe në institucione, por kjo e tëra po lidhet me edhe me vetëdijësim të qytetarëve, ngase nëse nuk ka një vetëdijësim qytetarësh, për fat të keq sërish analfabetët e tille do të mbeten në lidership të paaftë dhe kësisoj, Kosova sërish do të mbetet në duar të njerëzve joadekuat në secilin segment këtë e ka bërë ky lidership zhvatës, joprofesional që 18 vjet", potencoi Burjani.

Qytetarët, të irrituar

Edhe qytetarët e anketuar janë tej mase të zhgënjyer me mospunën e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. Ata janë të mendimit se në asnjë mënyrë shteti nuk mund të shkojë përpara kur po dështojnë seancat e Kuvendit te Kosovës, pasi në shumë rast edhe nuk po ka kuorum e po kështu edhe mbledhjet e Qeverisë, pasi ministrat nuk janë askund.

Andaj, ata vlerësojnë se është rreziku më i madh aktualisht se çdo ditë më shumë për këtë ekzekutiv do të thotë miliona më tepër të zhvatura nga disa "kryeministra në hije" që nuk i binden kryeministrit oficial, ose po e punojnë pas shpine. Qytetari Mexhid Havolli, për gazetën " Kosova Sot ", tha se mungesa e tyre nëpër mbledhje dhe joefikasiteti në punë është papërgjegjësi e atij deputeti që e kanë zgjedhur populli.

"Edhe më shqetësuese është mungesa e ministrave në mbledhjet e Qeverisë, që është një fenomen edhe më shqetë- sues, sepse një ministër mos të prezantojë në mbledhje dhe mos të prezantojë problemet e shoqërisë dhe ministrisë përkatëse kjo vërtet është shumë shqetësuese. Andaj, ministrat le t'i trokasin kokës së vet e mos të dëshpërojnë elektoratin që i ka zgjedhur. Ngase, kjo gjendje është një tregues se kjo Qeveri nuk është në gjendje të marrë vendime të duhura dhe se ata duhet të merremme hallet e problemet tona dhe t'i prezantojnë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës", u shpreh ai.

Ndërsa, qytetari Hakif Hamiti thotë për "Kosova Sot", se këta pushtetarë tanë e kanë privatizuar Kosovën dhe e kanë bërë si të veten, institucionet e saj po veprojnë kësisoj pa asnjë përgjegjësi e llogaridhënie, ngase askund në botë nuk ka që deputetët dhe ministrat mos të shkojnë në mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë.

" Veç saj, deputetë dhe ministrat e Listës Sërpska nuk vijnë fare në këto mbledhje të Kuvendit e të Qeverisë së Kosovës dhe ata marrin rrogë dhe mëditje", theksoi ai.

(Kosova Sot)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)