02 Prill 2020

Asnjë nëpunësi civil në vend nuk duhet t’i shkëputet kontrata

Prishtinë, 24 shkurt - Demokraci Plus (D+) mbajti tryezë lidhur me dyfishimin e pozitave të nëpunësve civilë si rezultat i ristrukturimit të Qeverisë nga 21 në 15 ministri, në të cilën morën pjesë përfaqësues të ministrive të ndryshme, të komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe të Shoqërisë Civile.

Në këtë tryezë u tha se asnjë nëpunësi civil në vend nuk duhet t’i shkëputet kontrata, pavarësisht se të njëjtit nuk punojnë në ministritë ku ishin më herët dhe se qeveria duhet t’i risistemojë ata në ministritë përkatëse ku edhe janë bashkuar së fundmi, në të kundërtën largimi i tyre nga puna, do të jetë i paligjshëm.

Visar Rushiti, analist i politikave në D+ tha se nëse Qeveria dëshiron ta zvogëlojë numrin e nëpunësve civilë, atëherë sipas tij një propozim është që të ndalojë rekrutimin derisa të dihet se ku do të risistemohen këta të fundit.

Valon Ramadani, anëtar i Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal, tha se për t’u përmirësuar kjo gjendje është e domosdoshme që të reformohet administrata. Ai vuri në pah nevojën e shtimit të inspektorëve nga 60 sa janë tani në 400.

Ekzistojnë një numër i pozitave të nëpunësve civil të cilat janë të njëjta në secilën ministri, p.sh. pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, pozita e Drejtorit të Departamentit Ligjor, Drejtorit të Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, Udhëheqësit të personelit, Auditorit të brendshëm, Udhëheqësit të prokurimit, Udhëheqësit të komunikimit publik dhe një numër të pozitave të shërbyesve civil të kategorisë profesionale si p.sh. zyrtar certifikues, zyrtar shpenzues, zyrtar për buxhet dhe financa, etj.

Siç dihet, të gjithë nëpunësit civil me kontrata të rregullta pune kanë akt emërime me afat të pacaktuar.

Ligji nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil njeh dhe trajton kategorinë e nëpunësve civilë tepricë në rast të suprimimit, bashkimit apo ri-organizimit të institucionit (Neni 32 i ligjit përkatës).

Në anën tjetër, Ligji nr. 06/L-114 i cili është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri në fund të shkurtit 2020 njeh të drejtën e transferimit të nëpunësve civil për shkak të shuarjes apo ristrukturimit të institucionit në një pozitë tjetër të Shërbimit Civil të së njëjtës kategori (Neni 54).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Prill 2020

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për t’u konsultuar lidhur me formimin e Qeverisë së re, ose shkuarjen në zgjedhje. (Zyra e Presidentit, ora 10:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. (Zyra e Presidentit, ora 10:30) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. (Zyra e Presidentit, ora 11:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim përfaqësuesit e Grupit Parlamentar 6 Plus. (Zyra e Presidentit, ora 11:30)