27 Maj 2022

Askush nuk duhet të harrojë ose mohojë atë që ndodhi në fshatin Reçak

Shtime, 15 janar - Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, bëri thirrje të shtunën që askush të mos harrojë ose mohojë atë që ndodhi në fshatin Reçak në vitin 1999 dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët, u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Ai i bëri këto komente, në një ceremoni përkujtimore të masakrës së Reçakut në komunën e Shtimes, rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës, ku në ditën e sotme të vitit 1999, forcat serbe vranë 45 banorë të fshatit.

“Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe qëndrueshmërisë. Këto qëllime i pasqyrojnë thellësisht vlerat amerikane dhe perëndimore."

"Ne besojmë që të gjithë popujt, pa dallim etnie apo besimi, meritojnë dinjitetin për të jetuar në liri dhe siguri”, tha ambasadori Hovenier, duke vënë në pah përpjekjet për të rishkruar historinë e masakrës dhe për të minimizuar faktet rreth këtyre mizorive.

“Më lejoni të jem i qartë për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj të vërtetës. Siç ka thënë presidenti (Bill) Clinton atëherë, e që e vërtetojmë sërish tani; ‘Ishte një akt i vrasjeve të qëllimshme vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës’."

"Mohimi i këtyre ngjarjeve dhe lartësimi i krimeve të luftës, çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen këtë rajon prapa në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se paqja dhe drejtësia vijnë nga pranimi i qartë i krimeve të së kaluarës.

Ai tha se pranimi i krimeve është jetik për të siguruar që krime të tilla mizore nuk ndodhin më kurrë dhe është vetëm hapi i parë për vendosjen e drejtësisë.

Masakra e Reçakut në vitin 1999, shënoi fillimin e një procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila u përmbyll më ndërhyrjen e NATO-s.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 maj 2022

- Fillon punimet konferenca “Qasjet Aktuale në Diagnostikimin dhe Menaxhimin e Pacientëve me Sklerozë Multiple, Dita Botërore e Sklerozës Multiple 2022”. (Four Points by Sheraton, Marigona Residencë, ora 9:00)

- Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Zeinah Salahi, do të flasë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Kolegji AAB organizon hapjen zyrtare të edicionit të parë të Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2022. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Në kuadër të projektit “Evropa Juglindore - Së Bashku Kundër Korrupsionit” mbahet konferenca për media, në të cilën do të prezantohet raporti me titull “Nevoja për institucionalizimin e vlerësimit anti-korrupsion në Kosovë”, në të cilin raport trajtohet ndryshimi e shpeshtë i ligjeve anti-korrupsion dhe nevoja që ndryshimeve të ligjeve tu paraprijë vlerësimi periodik i legjislacionit dhe masave anti-korrupsion. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Oficerë të lartë nga Kroacia dhe Shqipëria që ishin pjesë e UÇK-së bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz. (Prekaz, ora 10:00)

-  Zyrtari për Sektorin Privat në USAID, Mathju Kulinajn, bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të mbajnë fjalë rasti në ceremoninë përmbyllëse të Programit të USAID-it Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt. (Hoteli Emerald, ora 10:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Sadedin Hajda dhe Mexhit Mustafa. (Hamoc, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  N303, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe të vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Feim Gashi, Sakip Bellaqa, Përparim Thaqi në fshatin Fortesë. (Fortesë, ora 12:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon konferencë për media si pjesë e Javës Kundër Varfërisë Menstruale dhe Stigmatizimit të menstruacioneve. (Para Bibliotekës Kombëtare, ora 12:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi. (Në rrugën Fortesë-Celinë, ora 13:0)

- Ministrja e  Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të takohet me një delegacion nga Shqipëria, të kryesuar nga ministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me rastin e organizimit të konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë - Shqipëri”. (Hotel Prishtina, ora 14:00)

- Mbahet konferenca për media e përzgjedhësit Alain Giresse në kuadër të grumbullimit për katër ndeshjet e muajit qershor në UEFA Nations League. (Hotel Emerald, ora 14:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit në fshatin Brestoc. (Brestoc, ora 14:00)

- Kombëtarja e Kosovës i fillon stërvitjet dhe do t’i mbajë dy seanca në Kampin Nacional në Hajvali. (Stërvitja e parë mbahet, ora 10:30 derisa stërvitja e dytë, ora 17:30)