11 Korrik 2020

200 të rinj bashkohen me Partinë e Drejtësisë

Prishtinë, 3 korrik - Në selinë e Partisë së Drejtësisë në Prishtinë, nën moton “Kjo rini, Prof. Dr. Ferid Aganin do ta bëjë kryeministër”, u mbajt një manifestim që shënoi anëtarësimin e rreth 200 të rinjve dhe të rejave në këtë subjekt.

Në hapjen e këtij manifestimi, Jeton Svirca, nënkryetar për çështje rinore pranë PD-së, tha se Partia e Drejtësisë i jep rol të veçantë rinisë, duke u mundësuar atyre qasje dhe përfaqësim maksimal. Andaj edhe fuqizimi i rolit të rinisë brenda PD-së është një nga synimet tona që edhe po shënon sukses, tha ai.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Prof. Dr. Ferid Agani foli për rëndësinë që ka kjo datë (2 korriku) e këtij manifestimi për popullin e Kosovës, duke shpalosur momente nga gjendja politike e Kosovës në vitet ’90 si dhe nga ecuria e procesit të çlirimit të Kosovës, me ndihmën e miqve ndërkombëtarë.

Ai, duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në mesin e kaq shumë të rinjve që duan t’i bashkëngjiten Partisë së Drejtësisë, përkatësisht, Vizionit Rinor pranë saj, theksoi se Partia e Drejtësisë vazhdon të jetë aktive duke ofruar ide dhe propozime konkrete në lidhje me rrjedhat politike dhe shoqërore të kohës.

Në këtë manifestim qenë prezentë edhe Mr. Amir Ahmeti, nënkryetar për marrëdhënie me jashtë, Munir Basha, nënkryetar për çështje ekonomike, Abdullah Klinaku, sekretar, Prof. Dr. Feti Mehdiu, anëtar i kryesisë, etj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Korrik 2020

- Në Ditën Botërore të Popullsisë, organizata SIT, organizon aktivitetin ku do të prezantojë statistikat e rasteve të raportimit të dhunës në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19. (Sheshi "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, ora 9:00)

 - Aktivistë të shoqërisë civile organizojnë aksionin simbolik për të kërkuar drejtësi për Kujtimin pasi qe po bëhen 1 vit prej kur 11 vjeçari nga Fushë Kosova, u përdhunua e u vra.  (Përpara Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, ora 11:00)

- SENSE Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë organizojnë transmetimin live të ceremonisë komemorative në Srebrenicë. (Qendra Kulturore Informative Boshnjake - Rr. Agim Ramadani, nr. 375 - Aktash, ora 12:00)

- Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë mbahet ligjëratë "25 vjet pas gjenocidit në Srebrenicë" me ligjërues Akademik Ferid Muhić Moderator dhe bashkëbisedues Bekim Blakaj - Drejtor Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë. (Livestream në Facebook - Humanitarian Law Center, ora 15:00)

- SENSE Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë organizojnë shfaqjen e ekspozitës multimediale “Gjenocidi në tetë akte”. (Sheshi Skënderbeu, ora 17:30)

- - Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë bahet aksion simbolik: Ndezje e qirinjëve para Teatrit Kombëtar të Kosovës. (Para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ora 20:00)