27 Shtator 2020

Vetëvendosja e shkolonizimit

Shkruar nga Enis Sulstarova

Lëvizja Vetëvendosje! është komunitet i njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen.  Motoja e Lëvizjes Vetëvendosje!


Le të bëhemi si të tjerët, si popujt e lirë.  Albin Kurti

Kryefjala e ligjërimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje! në Kosovë është shkolonizimi (dekolonizimi). Shkolonizimi i Kosovës dhe arritja e sovranitetit të popullit është objektivi i lëvizjes. Siç dihet me kolonializëm kuptohet sistemi apo politikat e një populli për të pasur autoritet mbi popujt e tjerë.

Justifikimi i zakonshëm i kolonializmit është mosaftësia për vetëqeverisje dhe për qytetërim i të kolonizuarve, diçka kjo që fsheh përfitimet materiale dhe kulturore të kolonizuesit (p.sh. lëndët e para, tregjet e mallrave, apo vetëkënaqësia e të qenurit “racë e epërme” dhe qytetëruese).

Kolonializmi vepron mbi të kolonizuarit duke i trajtuar si objekte, që duhen mbikëqyrur, klasifikuar dhe drejtuar, sipas standarteve të kolonizuesit. Përkundër kolonializmit, vetëvendosja është pohim i vetëqeverisjes dhe i të qenurit subjekt nga ana e popujve.

Lëvizja Vetëvendosje! në Kosovë e kërkon realizimin e vetëvendosjes popullore përballë sistemeve të njëpasnjëshëm dhe të mbivendosur kolonialë që kanë vepruar dhe veprojnë në këtë vend. Në radhë të parë kundër Serbisë.

Sundimi serb i Kosovës është një rast klasik i kolonializmit, sepse ai është ushtruar me dhunë e terror, shpronësime, shpërngulje të shqiptarëve dhe zëvendësime të tyre me kolonë serbë, segregacion etnik e përjashtim nga institucionet publike, e deri në përpjekje për spastrim etnik.

Procesi i shkolonizimit nga Serbia nuk ka përfunduar me pavarësinë e Kosovës. Kolonializmi serb në Kosovë vazhdon edhe sot e kësaj dite me anë të strukturave paralele në komunat veriore, komunat e reja dhe të zgjeruara më shumicë serbe në një të tretën e vendit, procesin e decentralizimit, ektraterritorialitetin e institucioneve të fesë ortodokse. Sa për shembull përmendim shpronësimet e qindra hektarëve tokë që u bashkëngjiten manastireve ortodokse dhe që nuk mund të përdoren nga populli i Kosovës.

Ky akt pason shpronësimet historike të kryera më parë nga regjimet serbe dhe jugosllave. Këto rregullime institucionale e ruajnë pozitën e ardhshme mbizotëruese të Serbisë në Kosovë, edhe pa përfituar lëshime të reja në negociatat që do të rihapen. Serbia nuk ka pse e njeh Kosovën, për sa kohë që Kosova e njeh rolin e Serbisë brenda Kosovës.

Edhe pa u njohur nga Serbia, Kosova do të jetë shtet i negociatave të përhershme me Serbinë, për nga vetë rregullimi i brendshëm i Kosovës. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje! vazhdimisht argumenton se pavarësia e Kosovës është pa sovranitet, se vazhdon varësia de fakto koloniale e Kosovës nga Serbia.

Lëvizja Vetëvendosje! synon të korrigjojë edhe efektet e dëmshme e kolonializmit ndërkombëtar në Kosovë. UNMIK-u e ka qeverisur Kosovën si një agjenci koloniale. Mandati i tij ishte Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila e ruante sovranitetin e Serbisë në Kosovë.

Edhe kur e bë e qartë për të gjithë se ruajta juridike e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën ishte një anakronizën, sërish Këshilli i Sigurimit i OKB-së e quajti Kosovën si një rast të veçantë, duke e përjashtur të drejtën për vetëvendosje që dokumentet e OKB-së u njohin ish-kolonive.

Administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut e objektifikonte popullin e Kosovës, duke sanksionuar vetë se çfarë është dhe çfarë nuk është e mirë për të. Vullneti i shefit të UNMIK-ut ishte përcaktues ndaj vendimeve që merrnin kuvendi dhe qeveria e Kosovës. Shefi i UNMIK-ut ishte sovrani.

Siç e shprehte Albin Kurti, qëndresa e Lëvizjes Vetëvendosje! ndaj UNMIK-ut e merr një pjesë të legjitimitetit nga vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar OKB-ja dhe nga praktikat e vendeve demokratike, prej nga vijnë administratorët e UNMIK-ut (gazeta Vetëvendosje!, nr. 6, 20.09.2005).

Populli i Kosovës realisht nuk u pyet asnjëherë. Elita politike e shantazhuar nga ndërkombëtarët ka miratuar rregullimet e tanishme institucionale të Kosovës që buruan nga Pakoja e Ahtisarit, rregullime që në mënyrë paradoksale quajnë të vlefshme statusin e kolonialistëve  të dikurshëm dhe vendimet e marra prej tyre për pasuritë e Kosovës. Shembulli më flagrant ishte pretendimi i Princit të Kentit për pronësinë mbi Trepçen, sipas një koncesioni të lëshuar nga kryeministri serb Nikolla Pashiç në vitet 20 të shek. XX.

 Ndërkohë që sot Trepçja është lënë të rrënohet, AKP që drejton privatizimin e Kosovës ka pranuar huatë që Trepça u ka të tjerëve, përfshirë Fondin për Zhvillim të Serbisë, si edhe një sipërmarrje greke, e cila i ka dhënë kredi qeverisë së Serbisë me marrëveshjen që Trepçja të shërbente si garanci! Gjithashtu të ardhurat e fituara nga procesi i deritanishëm privatizimit të pronës publike, që shkojnë mbi 400 milionë euro, Kosova nuk mund t’i përdorë për investime publike, sepse për ato para kanë pretendues të tjerë veç shtetit të Kosovës, në radhë të parë Serbia.

Prandaj Komiteti për Ekonominë i Lëvizjes Vetëvendosje! ngre disa pyetje që kërkojnë përgjigje: “Pse duhet të shesim pa u dekolonizuar? Pse ta japim pasurinë pa e bërë edhe juridikisht tonën njëherë? Pse Kosova po përdoret vetëm për lëndë të para dhe si vend transit, kurse populli i Kosovës si konsumator?” (Vetëvendosje!, nr. 249, 14.06.2010). Ky ka qenë dhe është roli ekonomik i kolonisë për metropolin: lëndë e parë, transit i rrugëve tregtare dhe konsumator i mallrave të metropolit.

Parë në një plan disi më teorik, lëvizja për vetëvendosje popullore në Kosovë kërkon të mbrojë botën e jetës nga kolonizimi i sistemit, po të përdorim terminologjinë e filozofit gjerman Jyrgen Habermas.

Sipas tij, bota e jetës përmban njohuritë dhe aftësitë që anëtarët e shoqërisë i përdorin për të ndërvepruar me njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar një bashkësi funksionale që i referohet simboleve të përbashkëta kulturore dhe një vizioni të caktuar për botën. Sistemi përmban marrëdhëniet instrumentale midis individëve që bazohen mbi botën e jetës, por synojnë arritjen e qëllimeve të caktuara.

Kuptimet e sistemit janë më të thjeshta dhe pragmatike: brenda sistemit bëjnë pjesë administrimi i çështjeve publike dhe shkëmbimet ekonomike, që synojnë të mirën e përbashkët të shoqërisë. Kolonizimi i botës së jetës prej sistemit ndodh atëherë kur sistemi nuk është më një mjet për shoqërinë, por kthehet në qëllim në vetvete.

Në terma konkretë, sistemi e kolonizon shoqërinë kur politika dhe ekonomia nuk i binden logjikës së të mirës së përbashkët dhe nuk kontrollohen dot nga populli. Sidomos nënsistemi ekonomik për të gjeneruar me çdo kusht veprimtari fitimprurëse depërton kudo nëpër shoqëri, duke i kthyer qytetarët në konsumatorë të atomizuar.

Në vend të mirëkuptimit të botës së jetës, lidhjet njerëzore komodifikohen. Gjendja bëhet edhe më e rëndë kur nënsistemi politik është i korruptuar dhe i kapur nga interesa private. Në këtë mënyrë politika nuk mund të jetë më një mjet kontrolli dhe drejtimi i shoqërisë.

Kjo analizë duket se përshkruan mjaft mirë edhe gjendjen e tanishme në Kosovë. Pasi ka rënë dakort për një sërë rregullimesh që enklavizojnë Kosovën dhe cungojnë sovranitetin e shtetit, elita politike i është dorëzuar një privatizimi pa një plan të mirëfilltë zhvillimi, një “privatizimi pa kokë”, siç e ka cilësuar Visar Ymeri (Vetëvendosje!, nr. 222, 07.12.2009), duke i dobësuar edhe më shanset e popullit për t’u rimëkëmbur.

Në këto kushte vetëvendosje do të thotë që të marrësh pronësinë mbi kushtet materiale të shoqërisë dhe jetës komunitare; do të thotë të kundërshtosh decentralizimin etnik dhe privatizimin për hir të privatizimit që po i bëhet pasurive publike. Kriza e tanishme e qeverisjes po tregon qartë se zgjedhja midis partive është kthyer në zgjedhjen midis kolës dhe pepsit. Lëvizja Vetëvendosje! po përfshihet në zgjedhjet parlamentare në kohën e duhur.

Ajo po e rikthen politikën në Kosovë, sepse ajo rikrijon zgjedhjen thelbësore që duhet të bëjnë qytetarët në situatën e sotme: ose nënshtrimin ndaj kolonializmit, që përfaqëson elita e vjetër politike, pavarësisht ngjyrimeve partiake, ose qëndresën ndaj kolonizimit të mëtejshëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Shtator 2020

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në aktivitetin “Race for the Cure” të organizuar nga OJQ “Renesansa”, në mbështetje të të mbijetuarve nga kanceri i gjirit, ku të pranishëm do të jenë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit nga misione të huaja në Kosovë. (Sheshin e Dëshmorëve në Prizren, ora 10:00)

- Organizata X40 dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile organizojnë tryezën e diskutimit “Lum Lumi” në të cilën do të diskutohet për dëmtimin e lumenjëve nga hidrocentralet në Kosovë. (Kino Lumbardhi Prizren, ora 11:00)
 
- Për nder të Ditës Botërore të Turizmit, nën organizimin e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prizrenit do të bëhet përurimi i projektit “Shenjëzimi i 10 shtigjeve të ecjes”, projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. (Në afërsi të fshatit Mushnikovë, afër Hotel Gold në Prizren, ora 13:00)

- Në ditën e tretë të edicionit të festivalit Lahuta, Okarina Polifionia mbahet kongresi i Lahutareve te trojeve shqiptare. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, ora 15:00)

- Platformës Bashkë-krijuese organizon ekspediten e gastronimise shqiptare. (Kino Bahçe, te Lumbardhi në Prizren, ora 18:00)