22 Shkurt 2020

Tendosja veriore

Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje

Ka tashmë disa muaj që tendosjet në veri të Kosovës janë shpeshtuar. Që prej rebelimit të strukturave paralele të Serbisë për moslejimin e kthimit të shqiptarëve atje, e deri te përleshjet periodike te Ura e Ibrit. Që prej hedhjes së bombave e deri te vrasja e shqiptarëve. Kush po i kontribuon kësaj gjendjeje dhe në ç’funksion është ajo?

Tash e 11 vjet veriu i Kosovës i është lënë Serbisë. Pushteti komunal, administrata, arsimi, shëndetësia si dhe jeta politike e shoqërore e serbëve që jetojnë në këtë territor, organizohet nga Beogradi. Zgjedhjet e Serbisë mbahen rregullisht dhe politikanët serbë jo vetëm që enden lirisht dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre kundër Kosovës, por madje shfaqen publikisht edhe të armatosur.

Jo vetëm strukturat paralele, por edhe vetë shumica e atyre pak policë të Policisë së Kosovës që në veri numërohen në gishta, janë të punësuar të Beogradit, siç u pa qartë edhe me rastin e policit të Policisë së Kosovës, Ljubisha Vujinoviq, e i cili po ashtu punonte për MUP-in, bashkëpjesëmarrës në vrasjen e Hakif Mehmetin në veri të Mitrovicës.

Për këtë situatë kriminale në veri duhet të mbahen përgjegjës misionet e huaja qeverisëse si dhe udhëheqjet partiake vendëse që kanë qeverisur deri sot me Kosovën. Veriu i Kosovës është spastruar etnikisht. Mbi 11,300 shqiptarë janë dëbuar dhunshëm dhe Beogradi ka blerë shumë prona të shqiptarëve në mënyrë të organizuar. Ata politikanë që janë bashkëfajtorë për gjithë këtë që i ka ndodhur veriut, sot dalin dhe thonë se “ne po punojmë për veriun”.

Pas shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës sipas rekomandimit të Ahtisaarit, çdo ditë e kaluar ka përforcuar faktin se kjo pavarësi pa vetëvendosje e shpallur prej një Qeverie pa dhëmbë, mbeti shtet në letër. Menjëherë pas katër muajsh erdhën letrat e Ban Ki-moon-it që kërkonin zgjidhje për “hapësirat serbe”.

Politikanët i futën veshët në lesh. Tash pas opinionit të GjND-së, Serbia e ka përqendruar strategjinë e saj në minimin e integritetit territorial të Kosovës nëpërmjet krijimit të entitetit serb përbrenda, me ç’rast cak i veçantë është vetë veriu i Kosovës. Ky do të jetë qëllimi i Serbisë në negociatat e ardhshme të cilat i fitoi. Negociatat e ardhshme me Serbinë politikanët tanë i quajtën ‘fitore’.

EULEX-i, Serbia dhe Qeveria e Kosovës janë plotësisht të bashkërenduar për çështjen e veriut. Serbia i ndërsen strukturat paralele, Bajram Rexhepi e dërgon njësinë speciale në veri me deklarata, shqiptarët e serbët nxiten për përleshje te Ura e Ibrit, kurse EULEX-i hyn në mes. Krejt kjo situatë e tensionuar mirëmbahet si trysni për negociata të reja. Kjo gjendje po mirëmbahet për t’i sqaruar disa gjëra: së pari që pushteti i Qeverisë së Kosovës është deri te ura. Së dyti që Serbia e kontrollon veriun. Dhe së treti që EULEX-i nuk toleron kurrfarë konfrontimi, gjë që nënkupton nisjen e negociatave.

Republika Serbe në Bosnje është brenda shtetit të Bosnjes. Por ajo e mban peng vetë statusin e këtij shteti. Më shumë Bosnja është e Republikës Serbe sesa që Republika Serbe është e Bosnjes. Sepse Republika Serbe është e Serbisë. Në mënyrë që Kosovës të mos i ndodh një gjë e tillë kaq fatkeqe, populli dhe shoqëria jonë duhet t’i jep fund koniukturave qeverisëse të shitura e të korruptuara, të varura e të shantazhuara, që punojnë për vete e jo për shtet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 shkurt 2020

- Fillon kampionati ekipor në pingpong. (Salla e pingpongut në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media ku do të prezantohet punimi me titull “Pesë gjërat që Qeveria e re e Republikës së Kosovës duhet t’i ketë parasysh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”. (Qendra e Konferencave ‘Orion’, ora 10:30)

- Federata e Arteve Mikse Marciale e Kosovës, mban konferencë për medie në prag të organizimit të Kosova Fighting Series 1. (Shtëpia e Sporteve, ora 11:00)

- Anibar International Animation Festival organizon koncertin me "Brumz Blluz". (Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë, ora 21:30)