18 Nëntor 2018

Përngjasimeve të luftës së UCK-së me epokën e Skënderbeut

Shkruar nga Dilaver Goxhaj

Në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombtar dhe 36 vjetorit të Lëvizjes Popullore të Kosovës më lejoni  që, përmes kësaj kumtese, të sjell disa  përngjasime  të luftës së popullit shqiptar në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare jashtë kufijve politikë të Republiks së Shqipërisë londineze.

Nga historia dimë se një pjesë e  Kosovës u pushtua nga forcat osmane në vitin 1455.

Ndërsa menjëherë pas vdekjes së Skëndërbeut osmanllinjtë krijuan këtu një njësi administrative të veçantë, të quajtur “Vilajeti Vukut” (nga emri i ish sundimtarit serb të krahinës),duke bërë edhe regjistrimin e pronave dhe të popullsisë në një defter të veçantë.

Brenda kësaj njësie administrative u përfshinë nahija e Rozhajës, Drenica, Dollci, Morava, Vushtria, Topollnica, Prishtina dhe Llabi. Jashtë këtij vilajeti të atëhershëm kishin mbetur Prizëreni, Gjakova, Peja dhe Istogu. Vetëm gjatë mbretërimit të sulltan Mehmetit II (1451-1481) e tërë hapësira e Kosovës ra përfundimisht nën sundimin osman.

Gjergj Kastrioti-Skëndebeu prej shkullit të XV e në vijim ka qenë e ka mbetur burim frymëzimi  jo vetëm në Kosovë, por për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për rezistencë e luftë për të shpëtuar nga shtypja e të huajve, por edhe për të ruajtur ndjenjën kombëtare ndër të gjithë shqiptarët, si të atyre që kanë jetuar e jetojnë në trojet shqiptare, por edhe të gjithë shqiptarëve të tjerë që kanë lindur e jetojnë ndër shekuj larg këtyre  trojeve, përmes njohjes së epokës së lavdishme të Skënderbeut. Dhe kjo ngaqë Skënderbeu u shndërrua dhe ka mbetur simbol i kombit shqiptar dhe i krenarisë së tij.

Kthesa rrënjësore e rezistencës së shqiptarëve pas vdekjes së Skëndërbeut, edhe në Kosovë ishte një vazhdim i natyrshëm i kryengritjeve të shqiptarëve për liri, të cilat u shkaktuan nga ndryshimet thelbësore që sillnin në jetën e shtresave të ndryshme të shoqërisë së atëhershme përpjekjet e osmanllinjve për të vendosur pushtetin e tyre nëpërmjet zbatimit të sistemit të timarit.

Ndërsa në kohën e Skënderbeut, në shekullin  XV, është Shqipëria e Mesme me Krujën heroike në krye ajo që qëndroi si kështjellë e pamposhtur, ndërsa në shekullin e XVI dihet që u bë Dukagjini vatër trazimesh e kryengritjesh kundër sistemit timareve, që ju imponua, të cilën e shohim te fermani i 22 shtatorit 1560, ku thuhet: “Në sanxhakun e Dukagjinit në krye të lëvizjes së shquar kryengritëse gjendet personalitetit i quajtur Pjetër Bogdani, (Gjyshi I Pjetër Bogdanit prift letrar) nga fshati Dush.”

Përsëri në fermanin e datës 28 shkurt 1565 bëhet e ditur se “18 fshatra të krishterë të Dukagjinit janë në gjendje kryengritëse”. Ndërsa viti 1568 është pothuaj vit kryengritjesh, që përfshiu gati të gjithë fshatrat e vilajetit të Kosovës, të cilën na e tregojnë fermanët e Portës së Lartë në tetorin dhe  nëntorin e vitit 1568.

As viti 1569, as ai  1570, në vitin kur formohet “Lidhja e Shenjtë e Shteteve Eropiane” kundër turqve, të cilën na e konfirmon një ferman i vitit 1570, ku vërtetihet se edhe në kohën e sulltanit Sulejman të Madhërishëm, u përdor çdo mjet për të qetësuar dukagjinasit duke shkaktuar dëme të mëdha me ekspeditat e tij të ndëshkimore kundër shqiptarëve.

Dhe po të vijojmë e t’i rreshtojmë të gjitha krymgritjet dhe rebelimet e ndryshme të shqiptarëve në Kosovë, pas nënshtrimit të plotë të saj nga perandoria osmane, e më pas prej vititve ’70 të shekullit të XIX nën pushtimin serb e deri në Luftën Çlirimtare në fund të shekullit të XX, për gati 530 vjet pushtim, rezulton se mesatarisht kemi pasur një kryengritje apo një revolë në çdo 3 vjet, të cilën e tregon bukur edhe vargu popullor: “Kosova e ka adet / Për çdo vit / Vret ka nji mbret”.

Nuk thuhet më kot se historia përsëritet. Dhe është shumë interesante se si themelimi i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK e më pas LPK), thënë ndryshe “lindja e përgjakur” e LPK-së, ndodh pikërisht në ditën e 514 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut; saktësishtë  më 17 Janar 1982! Jo vetëm që kjo ishte thjeshtë një lindje e lëvizjes për rezistencë të armatosur për liri  e popullit shqiptar që jetonte në ish-Jugosllavi, por edhe  një vdekje dhe betim si ai i 17 janarit të vitit 1468 para trupit pa jetë të Skënderbeut. Ndërsa në këtë rast, para trupit pa jetë të vëllezërve Gervalla dhe Kadri Zekës.

Themelimi i LPRK ishte një vijim i rezistencës të pandërprerë 514 vjeçare e popullsisë shqiptare në viset shqiptare në Jugosllavi.
 
Ajo Lëvizje lindi kur kriza politike e regjimit serbo-sllav të pushtimit në Kosovë kishte arritur në një ashpërsim të madh e shprehur kjo me demonstratat e vitit 1981, të cilat ishin një epope shqiptare.

Shqiptarët e Kosovës për herë të parë treguan një vitalitet të tillë masiv që nuk ishte njohur deri atëherë në të tilla përmasa.

Ata, gjithashtu, bënë të ditur se janë popull me vetëdije të formuar kombëtare, se kanë synime të qarta politike dhe se rrethanat historike dhe tragjeditë nëpër të cilat kaluan, nuk arritën të zhbëjnë substancën e tyre.

Përmes demonstratave të viteve 1981-82 faktori shqiptar, për herë të parë pas një kohe të gjatë, bëhet i rëndësishëm në Ballkan.

Demonstratat e vitit 1981-82 ishin vazhdimësi e atyre të vitit 1968. Në demonstrate morrën pjesë të gjitha shtresat e popullsisë, përveç burokracisë politike dhe shtetërore dhe inteligjencës krijuese.

Numerikisht më të shumtë dhe më të vendosur ishin të rinjtë, studentët dhe nxënësit, pastaj punëtorët dhe pjesërishtë fshatarët. Gjë që kur shpërtheu lufta çlirimtare në fund të shekullit të XX raporti i popullsisë pjemarrëse në luftë kaloi në anën e popullsisë fshatare.

Dalja në skenë e legjendës Adem Jashari nuk ishte rastësi, por vijim i asaj rezistence, e cila rezultoi me krijimin e një ushtrie të vërtetë çlirimtare, me emërin Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Nëse do të analizojmë artin e luftës të përdorur nga UÇK-ja kundër pushtuesve serbë, madhështia e saj qëndron edhe në faktin se ajo për bazë politike kishte të njëjtën strategji politike si të Skënderbeut: luftën për çlirim dhe mbrojtjen e popullsisë, dhe për bashkimin e Kosovës e gjithë trojet e tjera shqiptare në një shtet të vetëm.

Në këtë kumtesë do të përqëndrohem kryesisht në paraqitjen shkurtimisht të tipareve karakteristike të strategjisë dhe taktikës së UÇK-së krahasuar me strategjinë dhe taktikën e luftës së Skënderbeut.

Ashtu sikundër strategjia dhe taktika që përdori Skënderbeu, edhe strategjia dhe taktika e UÇK-së fillimisht u bazua në luftën e gjatë popullore, për asgjësimin pjesë-pjesë të armikut duke e detyruar atë të hiqte dorë nga pushtimi shekullor, pavarësishtë se kushtet dhe rrethanat politike ndërkombëtare e detyruan më pas të ndryshonte kjo strategji.

Forma kryesore e luftës së UÇK-së, që solli përfundimisht çlirimin e Kosovës, ishte mësymja, sikundër ishte edhe tipari kryesor i gjithë luftrave të Skënderbeut.
Ashtu sikundër Skëndërbeu kombinonte veprimet mbrojtëse me ato të grupimeve sulmuese, ky tipar u vërejt edhe në shumë etapa të luftës së UÇK-së.

Skënderbeu grushtin kryesor e jepte jashtë kështjellave, në atë drejtim dhe kundër atij objekti që duhej, për ta shpartalluar armikun pjesë-pjesë; e tillë ishte edhe strategjia dhe taktika e UÇK-së në disa nga rastet më vendimtare, ku si më tipiken mund të përmendim atë të shpërthmit të rrethimit nga ana e forcave të Zonës së Dytë Operative më 31 mars 1999.

Ashtu sikundër Skënderbeu nuk i kishte asnjëherë të njëllojta formacionet e veta luftarake,  edhe brigadat dhe zonat operative të UÇK-së nuk ishin asnjëherë të njëllojta.

Forma më e përshtatshme e manovrës së Skënderbeut ishte shpinëmarrja e krahmarrja duke i gërshetuar ato me goditjen përballë; në shumë raste këtë lloj manovre e përdorën edhe një pjesë e zonave operative të UÇK-së, por me një ndryshim, në shumicën e kohës UÇK-ja i dha përparësi mbrojtjes, prandaj pësoi edhe disfatë në luftën e saj gjatë verës së  vitit 1998.

Ashtu sikundër Skëndërbeu, që në themel të strategjisë kishte parimin që me forca më të pakta ta detyronte armkun të hiqte dorë nga lufta, edhe UÇK-ja përmes zbatimit të këtij parimi e detyroi në shumë raste armikun të hiqte dorë nga reprezaliet, duke shfrytëzuar epërsinë morale të saj.

Taktika e Skëndërbeut u dallua nga përpjekjet për t’i rrëmbyer inisiativën armikut, këtë taktikë e patën edhe disa nga zonat operative të UÇK-së, pavarëishishtë se jo në të gjitha rastet iu arrit qëllimit.

Skënderbeu dhe ushtria e tij kishin besim në fitore; ashtu edhe UÇK-ja dhe gjithë pjestarët e saj kishin besim në fitoren e luftës ndaj dhe lufta e jonë shpërtheu në formën e një bumi menjëherë pas betejës së Prekazit, edhe pse udhëheqësit politikë të saj deklaruan botërisht se UÇK-ja nuk mund ta fitonte luftën, gjë që solli demoralizimin e shumicës absolute të formacioneve të saj në verën e vitit 1998 dhe tërheqjen masive nga sulmi, por falë faktit që në krye të politikës së UÇK-së u vu simboli i rezistencës shqiptare Adem Demaçi, ndodhi korigjimi dhe u fitua përsëri besimi në fitore.

Arti ushtarak i Skëndërbeut ishte frymëzim për artin ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj studimi i kësaj lufte të fundit çlirimtare për shkencën tonë ushtarake nuk duhet të ketë për qëllim vetëm njohjen e ati artij, por edhe atë që ta shfrytëzojmë në kushtet e reja kur historia mund të na përsëritet.








 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2018

- Për nder të Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor bëhët ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. Teatri Kombëtar, ora 18:00)