23 Shtator 2020

Për kosovarët Blair është hero i vërtetë

Shkruar nga Hashim THAÇI

Arritjet nga Tony Blair mund të nënvlerësohen në Britani, por roli i tij në pavarësinë tonë e bënë atë një kolos politik në Kosovë

"Mbreti ka vdekur, rroftë mbreti" është një frazë për monarkinë, por tingëllon e vërtetë edhe në demokracinë moderne. Disa në Britani duken të kenë harruar se Tony Blair e udhëhoqi vendin e tyre në skenën botërore për 10 vjet të tëra dhe për më tepër, ata i dhanë atij mandat të madh të vepronte në tri raste. Si kryeministër i shtetit më të ri në Evropë, unë kam pasur fat të gëzoj mbështetjen e paluhatshme nga qeveritë që pasuan Blair, si nga Gordown Broan ashtu edhe nga David Cameron. Por, nga aspekti personal, s'kam si të mos krijoj përshtypjen se energjia e jashtëzakonshme dhe të arriturat e konsiderueshme tashmë po nënvlerësohen në vendin e tij.

Duke pasur parasysh rolin tepër të madh që Blair luajti në mbështetje të vendit tim për farkimin e pavarësisë së tij, shpresoj se libri i tij jo vetëm që do të sjellë një perspektivë personale mbi disa ngjarje të rëndësishme globale, por t’ua kujtoj njerëzve pse ata e admiruan këtë njeri në radhë të parë. Pushteti politik nuk e zmadhon atë fare. Ekziston diçka thellësisht modeste rreth shërbimit publik dhe besimit që një komb vendos mbi një individ të cilit i beson të udhëheqë. Blair e din këtë. Ndërkohë, përderisa Kosova kërkon të konsolidojë pozitën e saj në sferën evropiane, sjellja dhe zotimi i Tony Blair është një shembull i fuqishëm për mua personalisht dhe ne të gjithë në Kosovë i kemi borxh të madh atij dhe popullit britanikë.

Ndonëse ne shpallëm pavarësinë para dy vjetësh, u desh deri muajin e kaluar (22 korrik) që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më në fund të ratifikonte Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur. Shumica vendimtare prej 10 me katër gjeti se shpallja jonë e pavarësisë nuk e shkelte të drejtën ndërkombëtare ose rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, e as që komprometonte kornizën kushtetuese të themeluar nga KB për të udhëhequr stabilitetin e përkohshëm të Kosovës. Çka është me rëndësi thelbësore, Gjykata rikonfirmoi vendin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, diçka që 69 vende veçse e kanë njohur.

Me që na duhen më shumë njohje për të siguruar një ulëse në Asamblenë e Përgjithshme të KB, ftoj të gjitha ato shtete të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën. Unë i jam mirënjohës qeverisë aktuale britanike për përpjekjet e saj konstruktive për t’i mundësuar Kosovës të zërë vendin e saj mes kombeve të tjera. Veç kësaj, Tony Blair po bën përfaqësime të ngjashme në vendet e njëjta në emër tonin.

Kosovarët nuk arritën lehtë deri te vendimi për të shpallur pavarësinë, ose thjesht të shtyrë nga vakumi politik. Në të vërtetë, siç e ka vërtetuar edhe GJND, rrethanat që kanë shpënë tek shpallja e pavarësisë së Kosovës ishin unike. Ngushtësia e vendimit të gjykatës në këtë çështje duhet të sigurojë çdo vend që ka ngurruar të njohë Kosovën deri më sot. Shpallja jonë nuk ka caktuar asnjë precedent dhe se çdo sugjerim se vendimi i Gjykatës hapë kutinë e Pandorës është i gabuar. Vendet të cilat ende e kundërshtojnë sovranitetin tonë, vetëm nga shqetësimet secesioniste brenda kufijve të tyre, duhet ta pranojnë këtë.

Qeveria e Serbisë sot ka një përbërje të ndryshme nga ajo që terrorizoi popullin tim para 11 vjetësh. Megjithatë, disa elemente me ndikim brenda saj ende po përpiqen të gjejnë vrima në vendimin e GJND-së duke shpresuar për të hapur një rezolutë tjetër të Asamblesë së KB për të kundërshtuar statusin e Kosovës. Çështja ligjore rreth pavarësisë së Kosovës është shtruar dhe përgjigja e gjykatës ishte e qartë. Qeverisë së Serbisë mund t’i mos ketë pëlqyer përgjigja që ka marrë nga Gjykata, por nëse ajo aspiron të bëhet pjesë e familjes më të madhe evropiane, me siguri se duhet të pranojë sundimin e ligjit.

Sinqerisht, kosovarët e shohin vendimin si një mundësi për të lënë të kaluarën prapa dhe për të ecur pra me të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë, drejt integrimit të vërtetë Euro-Atlantik. Vendi im është i gatshëm të bashkëpunojë me Serbinë për të diskutuar çështjet praktike të cilat do të përmirësonin jetën e të gjithë qytetarëve tanë. Ne jemi fqinjë dhe përballemi me sfida të njëjta. Forcat tona policore duhet të punojnë së bashku për të luftuar shkatërrimet e krimit ndërkombëtar. Të dy vendet tona duhet të bashkëpunojnë për çështje praktike si energjia, telekomunikacioni dhe arsimi. Ne kemi interes të përbashkët të punojmë së bashku për të identifikuar fatin e personave të pagjetur – si shqiptarë ashtu edhe serbë – nga periudha e dhimbshme e luftës të cilën të dy vendet e kemi përjetuar.

Fqinjët tanë serbë mund të mos jenë ende të gatshëm të pranojnë pavarësinë e Kosovës, por bashkëpunimi mes dy shteteve të pavarura është i pashmangshëm. Ndërkohë, Kosova do të vazhdojë të përparojë mbi themelet e vëna që nga viti 2008. Ne do të përfundojmë jetësimin e Planit të Ahtisaarit – tashmë të mishëruar në kushtetutën tonë të re – me garanci të gjera për një shoqëri laike që mbron të drejtat e pjesëtarëve të të gjitha grupeve etnike në Kosovë, përfshirë edhe të serbëve. Ne do të vazhdojmë të forcojmë institucionet tona demokratike dhe do të marrim vendimet e nevojshme për të kultivuar rritjen ekonomike afatgjate me sektorin privat në ballë.

Ka mbetur shumë për të bërë, por Kosova veçse është e hapur për investime, biznese dhe turizëm. Siç theksoi Tony Blair në fjalimin e tij në Parlamentin tone në korrik: “Tashmë ju keni një ëndërr. Që një ditë, Kosova të zërë vendin e saj si anëtare e Bashkimit Evropian, si një shtet i pavarur e krenar, që nuk drejton vetëm çështjet e veta të brendshme, por që luan rolin e vet në unionin më të madh politik dhe komercial të botës."

Po, Kosova do të vazhdojë me reformat e nevojshme për të siguruar vendin që meriton në KB, në NATO dhe në BE, dhe ne jemi të kënaqur që z. Tony Blair vazhdon të përkrahë kauzën tonë. Roli i tij në historinë e Kosovës do të njihet si një shembull i rëndësishëm i një trashëgimie të madhe. Kosova e ka nderuar atë me Medaljen e Artë të Lirisë dhe kosovarët gjithmonë do ta kujtojnë si një nga heronjtë e vet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)